Së shpejti premiera e dokumentarit për figurën e Joe DioGuardi, arbëreshi që bëri shumë për shpëtimin e Kosovës (VIDEO)

1 Prill, 2024 - 1:12 pm

Për ish-kongresistin, kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, për Joe DioGuardi është realizuar një dokumentar i cili vjen premierë në muajin prill, shkruan KultPlus.

Ky dokumentar po vjen edhe si një lloj falënderim ndaj punës së palodhshme së tij, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Joe DioGuardi ishte zëri ynë në kohë të errëta, shpresa jonë në kohën e pashpresë, andaj Hysen Zeqaj, autori dhe producenti i këtij projekti, këtë dokumentar e ka realizuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ku do të sjell një rrëfim ekskluziv me foto dhe pamje poashtu ekskluzive.

I titulluar “Shpëtimtari i Kosovës”, ky dokumentar është një rrëfim autentik që vjen i mbështjellë me foto e video të pa publikuara më herët, që në mënyrë të hatashme shpalos dashurinë dhe përkushtimin e arbëreshit emblemë, DioGuardit për kombin shqiptar.

Producenti Zeqaj pasi a publikuar edhe trailerin e dokumentarit, ka njoftuar se premiera do të shfaqet në New York City në muajin Prill, ndërsa për detajet e tjera do të na njoftojë me kohë. / KultPlus.com

Të ngjajshme