‘Shishet e zbrazëta nga një vend i largët: Retrospektivë e Chris Marker’, sonte në Kino Lumbardhi

2 Qershor, 2021 - 7:26 pm

‘Shishet e zbrazëta nga një vend i largët: Retrospektivë e Chris Marker’, shënon 100 vjetorin e ditëlindjes së regjisorit të njohur të filmit që i dha formë kinemasë dhe artit të shekullit, shkruan KultPlus.

E për këtë 100 vjetor sot në Kino Lumbardhi në Prizren do shfaqen filmat në gjuhën shqipe dhe angleze.

Shfaqja e filmave do të bëhet me fillim nga ora 20:30 dhe hyrja do të jetë falas.

Që nga fillimi i praktikës së tij, Chris Marker, ishte shumë i ndjeshëm ndaj luftërave politike në të gjithë botën dhe ndaj kryqëzimit të këtyre ndryshimeve që mund të shënohen në formë të filmit. Si rezultat i qëllimit të tij të angazhuar artistik, ai gjatë gjithë jetës u mor me kujtimet e luftrave anti-koloniale që ndodhnin larg, por disi shumë afër vendit të tij. Filmat e tij, të cilët janë përfshirë në këtë retrospektivë, zgjerohen gjeografikisht nga Siberia në Bosnjë, nga Japonia në Kosovë, duke krijuar një plejadë globale dhe historike të sfidave. “Kush i mban mend të gjitha ato?”, pyet ai në një nga filmat eseistikë të tij duke iu referuar shteteve si shishe: “historia hedh shishet e saj të zbrasta nga dritarja.” Kjo retrospektivë përpiqet t’i mbledhë dhe sjellë disa prej këtyre shisheve për t’ia treguar botës nga këndvështrimet e harruara.

‘Shishet e zbrasta nga një vend i largët: Një Retrospektivë e Chris Marker’ mbështetet nga Ambasada Franceze dhe Bashkimi Evropian, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”./ KultPlus.com

Të ngjajshme