Shumë yje në një film, Kastrati: “Thank You Hague” drejt finalizimit

2 Shkurt, 2022 - 3:18 pm

Gerard Depardieu, Maria Grazia Cucinotta e Jeroen Krabbe janë yjet e kinematografisë botërore që tashmë kanë përfunduar një pjesë të konsiderueshme të xhirimeve të filmit “Faleminderit Hagë”, që për titull pune kishte emërtimin “Unë dhe Millosheviqi”, film ky me skenar dhe regji të Arben Kastratit, shkruan KultPlus.

Skenari i filmit i cili i përket zhanrit dramë-komedi e që ngjarjen e ka të vendosur mes Kosovës, Serbisë, Francës dhe Holandës, xhirimet e deritanishme i ka realizuar në Shqipëri dhe Austri, dhe pjesa e mbetur do të realizohet në Austri, Rumani dhe Shqipëri.

Arben Kastrati, regjisori i filmit i cili është shprehur të jetë shumë i kënaqur për kastën e mrekullueshme, por edhe mënyrën se si është nxjerrë deri më tash ky film, ka thënë për KultPlus se filmi është është bashkëprodhim mes Austrisë, Francës, Italisë dhe Amerikës.

“Për shkak të pandemisë, xhirimet e disa skenave të pakta të mbetura, kemi qenë të detyruar që ti shtyjmë deri më tani. Skenat e pakta të mbetura të filmit, do të xhirohen në Austri, Rumani dhe Shqipëri, sapo të na mundësohet të xhirojmë në eksterier”, ka thënë Kastrati. 

Ndërkohë, përpos aktorëve të lartpërmendur, në këtë film me rolet e tyre janë përfshirë edhe John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit, Xhevdet Doda, Blerta Syla Surroi etj…

Arben Kastrati poashtu ka njoftuar se filmi “Faleminderit Hagë” ka pas kujdes edhe në përzgjedhjen e producentëve, duke përfshirë ata shqiptarë e ndërkombëtarë, dhe ky projekt filmik tashmë ka tre producentë: Shqipe Kamberi, Thomas Bogner dhe Marius Hanganutiu. 

https://www.facebook.com/ThankYouHagueMovie/videos/326021132783011

Ndërkohë, përderisa është duke u punuar intensivisht për përfundimin e këtij filmi, që montazhin do ta realizojë në Austri, kurse postproduksionin në Los Angeles, Arben Kastrati ka njoftuar se tashmë producentët e filmit kanë filluar të ndajnë me ndjekësit edhe skena të filmit, e që po shpërndahen nëpërmjet faqes zyrtare të filmit, e që sipas tij, premierën do ta ketë në një ndër festivalet më prestigjioze në botë. Filmi “Faleminderit Hagë”, është film i bazuar në ngjarje të vërtetë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ThankYouHagueMovie

Të ngjajshme