“The Son”, filmi boshnjak që pret të ketë Kosovën brenda tij

29 Qershor, 2018 - 9:39 pm

Në mesin e 30 projekteve që janë financuar kësaj here nga Eurimages është edhe “The Son” me regji nga Ines Tanovic.
Ky do të jetë filmi i dytë i metrazhit të gjatë i regjisores nga Bosnja.

Lajmi i mirë është se filmi do të mund të jetë një bashkëproduksion edhe me Kosovën.

Vjosa Berisha ka aplikuar në Qendrën Kinematografike të Kosovës që të jetë bashkëproducente e filmit.

“Më është ofruar mundësia që të jem pjesë e këtij projekti dhe patjetër se më ka tërhequr. Regjisorja Tanoviç është një regjisore shumë e sukseshme, dhe projekti ka një temë sociale që është interesante, e aq më shumë për mua është tërheqës fakti që rolin kryesor do ta ketë aktori Uliks Fehmiu. Nëse projekti ka sukses në QKK, Kosova do të ketë mundësi të bëj bashkëprodhimin e parë me Bosnën” tregon Berisha.

Filmi ka marrë mbështetje prej 125 mijë eurove nga Eurimages, ndërsa janë ndarë gjithsej gati 7 milion euro për projekte të ndryshme filmike, dokumentarë dhe një animacion.

Prezantimi i Vjosa Berishës për ta arritur këtë sukses kinematografik do të jetë nesër, kur edhe do të dihet nëse Kosova mund të jetë pjesë e këtij projekti të suksesshëm boshnjak. / KultPlus.com

Të ngjajshme