TIFF, gjashtë produksione pretendentë për çmimin e dokumentarit më të mirë

16 Shtator, 2022 - 5:35 pm

Gjashtë filma janë pretendentë për të fituar çmimin e dokumentarit më të mirë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Nga seleksionimi paraprak, janë përzgjedhur filma dokumentarë me një gjeografi të larmishme. Njëri prej dokumentarëve është prodhim francez e indian, “A Night of Knowing Nothing”, nga regjisorja Payal Kapadia, prodhim i vitit 2021.

Kroati Srdan Kovacevic prezanton dokumentarin “Factory to the workers”, ku në 105 minuta tregohet historia e pengmarrjes së një fabrike nga punëtorët e saj grevistë, të cilët kërkojnë të mbrohen nga një ekonomi pa rregulla.

Tek “Infinity According to Florian”, një prodhim ukraino-amerikan,i vitit 2022, regjisori Oleksiy Radynski rrëfen historinë e arkitektit 90-vjeçar Florian Yuriev, i cili mëson se një nga veprat e tij më të rëndësishme do të kthehet në qendër tregtare.

“The Balcony Movie” është filmi dokumentar i regjisorit polak Pawel Lozinski, film I xhiruar nga ballkoni i shtëpisë së autorit, i cili duke parë nga lart, vëzhgon kalimtarët, duke depërtuar në psikologjinë e jetët e tyre.

Një tjetër film dokumentar vjen nga Natasa Urban me titullin “The Eclipse”, ku tregon se si izolohen nëpër bunkerë një pjesë e popullsisë serbe nga frika e një eklipsi hënor. Filmi vjen si metaforë e ndërgjegjes jo të pastër dhe e pasojave që sjellin zgjedhjet e gabuara në politikë.

Dhe i fundit në renditjen e kandidatëve për çmimin e dokumentarit më të mirë, në TIFF, vjen “Where Are We Headed”. Dokumentari prej 63’ i regjisorit rus Ruslan Fetodow, zhvillohet në metronë e Moskës, përgjatë 1 viti, duke hulumtuar cështjet social-kulturore të Rusisë.

Filmat e edicionit të 20-të të TIFF do të shfaqen në disa lokacione; në Kinema Millennium, Open Air Cinema dhe tek Liceu Artistik.

Për herë të parë ATSH është “Official Partner” i TIFF./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme