TIFF me edicionin e tij të 20-të

1 Shtator, 2022 - 3:54 pm

Tirana International Film Festival (TIFF) këtë shtator vjen me edicionin e tij të 20-të, si një histori suksesi, që nisi në 2003 dhe tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të Ballkanit dhe Europës.

Festivali, i cili do të zhvillohet nga 24 deri në 30 shtator, për herë të parë do të ketë “Official Partner”, Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Organizatorët krenohen që Tirana International Film Festival është përzgjedhur ndër 29 festivalet më të mira europiane, përkrahë simotrave të Venecias, Kanës, Lokarnos e Berlinit, për të kandiduar filma në “European Film Academy Awards”. Të frymëzuar nga ky vlerësim maksimal, organizatorët shprehen se kanë dhënë maksimumin që edhe edicioni i 20-të të jetë i suksesshëm. Një tjetër arritje e këtij festivali është fakti se Akademia “Oscar” ka TIFF, si një nga festivalet zyrtare me atributin e nominimit për “Oscar” për Çmimin e filmit të shkurtër.

Tiff vjen në këtë edicion me një numër rekord aplikimesh, program të pasur dhe premiera.

Komisioni Ndërkombëtar Përzgjedhës sugjeron më shumë se 100 filma të cilët do të garojnë në kategoritë: Feature (të gjitha zhanret), EYE on TIFF, Film Aksion I shkurtër, Animacion, Film dokumentar (të të gjitha gjatësive), filma studentore, Video Art & Eksperimental, Filma Ballkanike & Film shqip.

Përveç filmave që garojnë për çmimet TIFF, organizatorët I kanë kushtuar një hapësirë të veçantë programeve speciale dhe projektimeve jashtë gare, që kane lidhje me tematika me ndjeshmëri të lartë sociale, të përmbledhura në seksionin “Panorama”.

Ky edicion, sipas themeluesit e drejtorit të TIFF, Agron Domi, do të ketë një vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve, të cilët do të mund të ndjekin filmat e përzgjedhur, të ndara në 2 nën-kategori sipas moshave; KIDs Program -10 dhe KIDs Program +11, filmat e të cilave do të projektohen pranë Liceut Artistik./ KultPlus.com

Të ngjajshme