“Tingulli, imazhi dhe teknologjia”, si u regjistruan praktikat dhe kultura ekspresive

23 Tetor, 2019 - 2:00 pm

Kuruar nga Mikaela Minga, në bashkëpunim me Robert Çollakun dhe Elvis Gorican, një in memoriam për Mexhit Daiut (1969-2019).
Në kuadër të 27 tetorit, Ditës Botërore të Trashëgimisë Audiovizuale, Departamenti i Folklorit, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit sjell ekspozitën “Tingulli, imazhi dhe teknologjia”.

Nëpërmjet kësaj ekspozite, do të njihemi me disa prej instrumenteve dhe teknologjive, që ndër vite u kanë mundësuar etnomuzikologëve, etnologëve dhe folkloristëve të regjistrojnë në zë dhe figurë praktikat dhe kulturën ekspresive të Shqipërisë dhe komuniteteve shqipfolëse jashtë saj.

Në fokus janë teknologjitë, jo thjesht si artifakte mekanike, sesa si bartëse të një lidhjeje komplekse me jetën njerëzore; bartëse të proceseve të përsëritshme sociale, kulturore dhe materiale, të kristalizuara në mekanizma të caktuar. Kjo është arsyeja pse këtë ekspozitë menduam t’i kushtonim Mexhit Daiut, muzikant, mbledhës dhe transkiptues i muzikës tradicionale, ndër të parët që u angazhua pranë Institutit të Folklorit (sot IAKSA).
Duke nderuar figurën e tij, dëshirojmë të sjellim vëmendjen te marrëdhëniet e njeriut me teknologjinë brenda Arkivit audiovizual të Departamentit të Folklorit. I krijuar në vitin 1960, ky është bartës sa i një kujtese kolektive të regjistruar e ruajtur në njësi fizike, aq edhe i një kujtese teknologjike. Shumë prej aparaturave që sot ekspozohen i përkasin një teknologjie tashmë të kaluar, por që është ende në funksion. E ndërsa të tjera zhvillime teknologjike i kanë zëvendësuar, nuk duhet të harrojmë se ato mbeten tepër të rëndësishme për riprodhimin e regjistrimeve historike. Nuk duhet të harrojmë që në momentin që mungon një aparaturë për riprodhimin e tingullit, “vdes” edhe njësia e regjistruar. Kjo duhet të na ndërgjegjësojë për rëndësinë e tyre historike dhe aktuale. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme