“Vitet e Pritjes”, sot premiera botërore e versionit të restauruar

20 Prill, 2021 - 2:50 pm

Sot shfaqet premiera botërore online e versionit të restauruar të filmit artistik “Vitet e Pritjes” me regji të Esat Musliut.

Premiera do të shfaqet në festivalin prestigjioz “goEast- Festival of Central and Eastern European Film”, që mbahet në Wiesbaden, Gjermani nga data 20 deri më 26 prill.

Restaurimi i filmit “Vitet e Pritjes” u bë i mundur falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit me partnerët “Fabula Films, AV Preservation by reto.ch” dhe “Kastle Films”.

Restaurimi është realizuar nga regjisori  Steven Kastrissios  (i njohur për publikun shqiptar për realizimin e filmit të parë horror në shqip “Bloodlands”).

I shfaqur premierë në vitin 1990 në një kohë kur drama e emigracionit në Shqipëri po niste sërish, akoma me e fuqishme se ajo e viteve 1930, ky është bashkëpunimi i parë i Regjisorit Esat Musliu me shkrimtarin Teodor Laço, bazuar mbi romanin e tij  “Lëndina e lotëve”.

Një roman kushtuar emigracionit me ngjarje të ndodhura në vitet ’30-të. Temë kjo që është parë si plagë e shoqërisë dhe që Laços i pëlqente ta quante “operacion që bëhet mbi plagën e varfërisë”. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme