Yll Uka nga Kosova, njëri ndër 20 producentët e “Producers on the move”

5 Maj, 2020 - 1:19 pm

European Film Promotion (EFP) që është rrjet i 37 institucioneve evropiane të promovimit të filmit, ka përzgjedhur 20 producent nga 20 vende të ndryshme evropiane për platformën e rrjetëzimit dhe promovimit të profilit të lartë ‘Producers on the Move’, përcjellë KultPlus.

“Të jesh njëri ndër 20 të zgjedhurit në programin prestigjioz ‘producers on the move’ është nder i veçantë për mua. Mbi të gjitha kjo është një njohje ndërkombëtare për punën dhe sukseset tona ndër vite”, tha Yll Uka producenti i përzgjedhur nga Kosova.

Disa nga filmat ku Yll Uka ishte producent janë: ‘Exil’-i nga Visar Morina, ‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha, ‘Nëntor i Ftohtë’ nga Ismet Sijarina, ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela dhe filmi aktualisht në postproduksion ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli.

Programi i rrjetit i EFP ‘Producers on the Move’ do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar fillimisht nga 11 deri në 15 maj, 2020, dhe pavarësisht nga Festivalit të Filmit në Kanë i cili është shtyrë për shkak të pandemisë koronavirus. 20 producentët e ardhshëm evropianë të përzgjedhur do të takohen përmes internetit këtë vit dhe do të prezantojnë projektet e tyre në takime dhe seanca të rrumbullakëta. Bisedat me ekspertë do të përmbyllin programin dixhital që zgjat pesë ditë. / KultPlus.com

Të ngjajshme