‘Zgjoi’ potencial për nomimin në Oscars, Basholli: Kemi shanca të mira drejt Oscarit për shkak të ‘Sundance’

22 Tetor, 2021 - 5:25 pm

Xhemile Hysenaj

Historia e një gruaje të fuqishme që duke i bërë ballë dhimbjes, paragjykimeve e mentalitetit të ulët patriarkal, ia doli të ngritet e të bëhet ndër figurat më inspiruese të qytetit të saj dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për historinë e Fahrije Hotit, e cila tash e sa kohë ka zënë vend në skenat më prestigjioze botërore përmes filmit ”Zgjoi” të regjisores Blerta Basholli, i cili kësaj radhe për publikun kosovarë do të vijë në ambientet e Cineplexx, shkruan KultPlus.

Sot, në një konferencë për media ku të pranishëm ishin regjisorja Blerta Basholli, aktorja Yllka Gashi si dhe producentët Yll Uka dhe Valon Bajgora, u shtjellua më detajisht rreth rrugëtimit të filmit si dhe pritshëmrive të tyre për nominimin e ”Zgjoi-t” në Oscars.

Ishte Yllka Gashi ajo e cila portretizoi figurën e Fahrije Hotit, duke e jetësuar edhe një herë historinë e kësaj zonje historia e të cilës shkeli edhe botën. Gashi theksoi se një rol i tillë nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se vështirësi të shumta kanë ardhur me këtë rol. ”Ka qenë e vështirë si çdo projekt tjetër që është i vështirë kur e merr me seriozitet, por fatmirësisht unë kam qenë e involvuar në këtë projekt që nga viti 2011 kur Blerta e ka pasur idenë për këtë projekt dhe kam jetu një kohë të gjatë me dëshirën me lu zonjën Fahrije, mandej kur e kemi fillu punën konkrete me prova e me biseda të gjata e shumë intime me Blertën në lidhje me qysh dojmë me ndërtu këtë personazh edhe qysh dojmë dhimbjen e saj me pasqyru në film, ka qenë pak e lodhshme emocionalisht me e mbajtë gjithmonë ndjenjën e dhimbjes e ndjenën e pasigurisë që e ka me burrin e pagjetur, megjithatë me një regjisore të mirë si Blerta e me udhëzimet që m’i ka dhënë besoj që kemi arritë me ba një punë të mirë”, është shprehur tutje Gashi.

Gashi, po ashtu ka treguar se zonjën Fahrije e konsideron të jetë një udhërrëfyese e të gjitha grave të Krushës dhe se kjo e fundit e ka inspiruar edhe atë edhe ekipin e filmit. ”Mesazhi i këtij filmi shkon në atë se sado jeta të jetë e vështirë, gjithmonë mundesh me triumfu dhe se ia vlen me luftu për me mbërri një të ardhme më të mirë”, deklaroi Gashi.

Filmi ”Zgjoi” bëri bujë të madhe kur u shpall fitues i tre çmimeve kryesore në Festivalin prestigjioz të filmit, ”Sundance”’. Ky film artistik nga një vend i vogël si Kosova fitoi çmimin për Filmin më të mirë, për regjinë më të mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA.

Basholli theksoi se nuk ka qenë shumë optimiste për këtë festival duke pasë parasysh se ka pasur konkurencë nga e gjithë bota, mirëpo siç thekson tutje regjisorja, pranimi në këtë festival ka qenë ëndrra e saj më e madhe. Ndërkaq, sa i përket nominimit potencial për Oscar, Basholli pohon të jetë një garë tejet e madhe dhe e vështirë dhe se për t’u arritur një nominim i tillë duhet një kampanjë shumë e madhe për filmin.

”Po konkurojmë me shtete e regjisor që kanë marrë Oscar disa herë, ata kanë buxhete shumë më të mëdha se na, ekipe më të mëdha se na. Mirëpo, pas Sundance e kemi formuar një ekip shumë të mirë në Amerikë dhe jemi duke punuar sikur nominimi të ishte i garantuar dhe mendoj se kemi shanca shumë të mira drejt Oscarit pikërisht për shkak të Sundance”, theksoi tutje Basholli.

Ndër të tjera ajo ka treguar se ”Zgjoi” tashmë ka fituar 12-të çmime nëpër botë dhe se bota po e njeh dhe përmend këtë film. Ndërsa sa i përket asaj se çfarë Basholli tenton të arrijë përmes këtij filmi, ajo ka potencuar se shpreson që ky film të ngritë diskutim rreth çështjes gjinore e patriarkale. ”Nuk jam pesimiste por jam shumë realiste dhe e di se në nëntor e kemi një garë shumë të vështirë para vetes dhe na pret shumë punë. Shpresoj që filmi të ngritë edhe një diskutim rreth çështjeve gjinore, rreth patriarkatit dhe e di që vetëm një film nuk mjafton mirëpo edhe Fahrija kur ka fillu me biznesin e saj, edhe ajo ka mendu që nuk ka bë shumë por ka bë më shumë se shumë, ka bë më shumë se një kampanjë e vetëdijësimit”, deklaroi Basholli.

”Kampanjën e kemi filluar një muaj më herët, kampanjës ka me i parapri edhe shfaqja e filmit në kinema, që së pari do të shfaqet në New York më 5 nëntor të këtij viti e pastaj edhe në LA e më pas edhe në 15-të shtete tjera të Amerikës”, tregon producenti Yll Uka. Ai po ashtu ka shtuar se janë duke punuar edhe për promovim të filmit për “Oscars”, EFA”, “BAFTA” e çmime të tjera të rëndësishme në kinematografi.

Për sa i përket financimit të rrugëtimit të ”Zgjoi-t” në Oscars, Uka ka treguar se janë në bisedime me MKRS-në dhe këta të fundit janë duke u konsulltuar edhe me institucione tjera që jo vetëm kësaj radhe por njëherë e përgjithmonë të rregullohet buxheti i promovimit të filmave nga Kosova, jo vetëm për Oscars por edhe për festivale tjera. Ndërkaq Uka tregoi se në kampanjën e ”Zgjoi-t” në Amerikë është duke punuar një ekip tejet profesional, ku ndër të tjera veçoi njërin nga publicistët i cili kishte punuar në kampanjën e filmit të famshëm ”Parasite”.

Regjisorja Basholli për herë të parë bëri të ditur se njëherit është duke punuar edhe në një film që shpalosë jetën e saj personale. Ajo bëri të ditur se ngjarja do të zë vend në Prishtinën e viteve të 90-ta deri në fillimin e luftës së fundit në Kosovë ku protagoniste kryesore do të jetë një vajzë adoloshente. Mirëpo, për sa i përket rrugëtimit të mëtutjeshëm të këtij filmi regjisorja nuk ka treguar diçka më konkrete, përpos se ka pohuar që Kosova ka shumë ngjarje që vlen të tregohen para botës. ”Tash është koha që kinematografia t’i tregojë storjet tona”, ka theksuar Basholli.

Filmi do të filloj shfaqjen për publikun në Kosovë me datën 28 tetor, në Cineplexx Prishtinë dhe Prizren. E producenti Valon Bajgora ka treguar se përveç në “Cineplexx” – e nga 29 tetori edhe në “Cinemarine” në Prizren – “Zgjoi” do të shfaqet dhe në Maqedoni e Shqipëri.

”Zgjoi” përcjell Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; ndërsa në rolin kryesor luan Yllka Gashi, dhe në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; “Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK.

Për premierën e këtij filmi, Cineplexx me datën 28 tetor, në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren, do të organizojë eventin Ladies Night, pra, nga kjo ditë e tutje do të jetë i qasshëm për publikun Kosovar. Oraret për filmin Zgjoi do të bëhen publik së shpejti. / KultPlus.com

Të ngjajshme