‘Zgjoi’ triumfon në Varshavë, ndërsa ‘Pa Vend’ në Qipro

16 Tetor, 2021 - 7:36 pm

Fituesi i trefishtë i Sundance, ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli ka fituar Çmimin e garës ndërkombëtare ‘1-2 Competition’ në festivalin e Varshavës që u ndahet regjisorëve për filmin e parë ose të dytë të gjatë.

Ndërsa filmi shkurtë ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda ka fituar Çmimin Filmi më i Mirë i Shkurtë në festivalin e filmit të shkurtë të Qipros.

“Çdo çmim është një konfirmim i punës së mirë që ka bërë i gjithë ekipi. Eksperienca dhe mikpritja në Festivalin e Filmit në Varshavë ishte e mrekullueshme dhe jemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë. Rrëfimi për gratë krushiane duhet të shihet nga të gjithë. Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale te tjera qe na presin”, u shpreh regjisorja Blerta Basholli.

“Për aftësinë e tij për të portretizuar pasionin për sportin, shpengimin e një vendi dhe të një komuniteti që dëshiron t’i japë kuptim ekzistencës së tij, përmes një tregimi të fuqishëm, rigoroz, por thelbësor dhe prekës, i cili bëhet një reflektim i thellë mbi vullnetin njerëzor”, deklaroi juria e festivalit të Qipros me rastin e nadrjes së çmimin kryesor për film ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda.

‘Zgjoi’ ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; ‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Filmi “Pa vend” i zhanrit docu-fiction përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve.

Ekipi i filmit përbëhet nga:

Regjia dhe Kinematografia: Samir Karahoda

Producent: Eroll Bilibani

Montazhi: Enis Saraçi

Dizajner zëri: Memli Kelmendi

Xhirues Zëri: Gëzim Rama

Protagonistët kryesor: Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati

Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest dhe distribuohet nga Radiator IP Sales. / KultPlus.com

Të ngjajshme