Rekomandohet që sot të mos vizitohet qendra e skijimit në Brezovicë

16 Dhjetor, 2023 - 9:30 am

Reshje të dendura bore kanë mbuluar zonën malore në Brezovicë. 

Sot, nga atje bëhet e ditur për gjendjen e rënduar ku dhe rekomandohet që mos të vizitohet qendra e skijimit.

Po ashtu, në njoftimin e Brezovica.info bëhet e ditur se deri më tani bora ka arritur në 1 metër, ndërsa është pastruar vetëm një rrugë.

“Pas reshjeve të mëdha të borës në qendrën e skijimit në Brezovicë është shumë keq. Ka 1 metër borë, vetëm një korsi e rrugës është pastruar, parkingu është i bllokuar. Rekomandim që komuniteti i skijimit të mos vijë sot në Brezovicë”, thuhet ndër njoftim.

Ndryshe, ekipi i Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtimi mbrëmë është detyruar të intervenojë në qendrën e skijimit, pasi njëri nga vizitorët ka pësuar arrest kardiak. Të njëjtit i është mundësuar transporti deri në autoambulancën e cila kishte vështirësi për të arritur në vendin e ngjarjes./ KultPlus.com

Të ngjajshme