Vlera fillestare e fotografisë së ”Billy the Kid” arrin 1 milion dollarë

24 Nëntor, 2019 - 10:17 am

Fotoja në të cilën shihet gangsteri i famshëm amerikan nga fundi i shekullit të 19, Billy the Kid, me anëtarët e bandës së tij, e ka një çmim fillestar prej 1 milion dollarësh, raportojnë mediat amerikane.

Kid, banditi i cili deri në moshën 21-vjeçare sipas të dhënave zyrtare kishte vrarë 8 persona, ndërsa jozyrtarisht shumë më tepër, u vra nga sherifi i mirënjohur i perëndimit të egër Pat Garrett, i cili e shkroi për këtë një libër dhe e bëri Kidin të pavdekshëm.

Fotografia, e cila nuk është publikuar kurrë më parë, e paraqet Kidin duke pirë dhe duke luajtur karta me tre anëtarët e bandës së tij.

Fotografia ka qëndruar në kasafortën e një familjeje amerikane për pothuajse 100 vjet, shkruan koha ditore, transmeton KultPlus.

Fotografia u vendos në ankand nga shtëpia e ankandeve Sofe Design Auctions, me një çmim fillestar prej 1 milion dollarësh.

Origjinaliteti i fotografisë u konfirmua nga muzeu i Texasit, George Eastman – muzeu më i vjetër në botë kushtuar fotografisë, i emërtuar sipas themeluesit të megakompanisë Kodak.

Muzeu konfirmoi që fotografia daton nga koha midis viteve 1870 dhe 1890.

“Ky është një zbulim shumë domethënës. Është e jashtëzakonshme ta kesh një fotografi kaq të rrallë në duar. Ky është vetëm dokumenti i dytë i konfirmuar në botë në të cilin gjendet Billy the Kid dhe i pari që është me një grup njerëzish”, tha zëdhënësi i shtëpisë së ankandeve.

Për Billy the Kid janë shkruar shumë libra të popullarizuar dhe janë xhiruar filma në Hollywood. / KultPlus.com

Të ngjajshme