Kryeziu futet në histori të Kosovës: Së shpejti do ta realizoj ëndrrën time

14 Janar, 2022 - 9:00 pm

Uranik Emini

Skitarja nga Kosova, Kiana Kryeziu, edhe zyrtarisht do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, pasi arriti që të sigurojë normën olimpike në garat e fundit në Itali, shkruan KultPlus.

Kosova po vazhdon që të shijojë suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare në fushën e sportit.

Kryeziu në një intervistë për KultPlus ka deklaruar se ndjehet shumë krenare dhe mirënjohëse ndaj njerëzve të cilët e mbështetën rrugëtimin e saj.

“Jam shumë krenare me vetën dhe jam shumë, shumë mirënjohëse njerëzve që më kanë mbështetur dhe përkrahur në çdo hap rrugës”, tha fillimisht ajo.

Tutje, ajo ndau me lexuesit e KultPlus edhe vështirësitë nëpër të cilat kaloi për të arritur këtë pjesëmarrje historike.

“Vështirësitë më të mëdha ishin së pari konkurrenca, për shkak të sezonit olimpik të gjithë garuesit e kishin një qëllim dhe ajo ishte norma olimpike. Pastaj, kishim vështirësi ndalesat gjatë udhëtimit për shkak të situates me COVID-19 dhe së fundmi ka qenë anulimi i garave për shkak të kushteve atmosferike”, thotë Kryeziu.

Skitarja nga Kosova beson se vendi në të cilin ajo jeton nuk ka kushte shumë të mira për shkak të infrastrukturës fillimisht dhe gjithashtu edhe barrës financiare që mbanë ky sport.

Ndërkaq, sa i përket ëndrrës së saj më të madhe, Kiana thotë se do të realizohet së shpejti.

“Ëndrra ime e madhe ka qenë me garu me idollat e mi në nivelin më të madh të sportit, që do të realizohet së shpejti në këto Lojëra Olimpike”.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeziu arriti të shkruajë histori për Kosovë, ku vitin e kaluar për herë të parë ka fituar medalje në një garë ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë.

Kryeziu fitoi medaljen e argjendtë në disiplinën e sllallomit. Ajo përfundoi me kohë 2:12.46 minuta.

Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” do të mbahen prej 4-20 shkurt. /KultPlus.com

Të ngjajshme