Çeku: Salla koncertale do të mbetet te objekti “Gërmia”, për Teatrin e Operas dhe Baletit pritet ndarja e lokacionit

31 Dhjetor, 2021 - 11:30 pm

Ardianë Pajaziti

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte Hajrulla Çeku ka listuar sukseset e këtij viti që po lëmë pas, duke e vlerësuar si një kthesë për fushën e kulturës dhe sportit, pikërisht me rritjen e buxhetit që është bërë në këto dy fusha. Çeku ka folë edhe për Sallën Koncertale, objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, propozimin e KultPlus për themelimin e Festivalit të Muzikës në kuadër të RTK-së, e ka vlerësuar si ide të mirë, sikurse që ka folë edhe për kishën ortodokse brenda Kampusit të UP-së.

KultPlus: Jemi në fund të vitit, dhe brenda kësaj periudhe sa edhe po e udhëhiqni Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, e keni vlerësuar si vit që është bërë shumë për fushat të cilat edhe janë brenda kësaj ministrie, në fakt, cila është e arritura më e madhe që e konsideroni edhe si kthesë për kulturën kosovare?

Hajrulla Çeku: Dy shtyllat kryesore të angazhimit tonë në kulturë janë: institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore. Planet vjetore të prokurimit, aktivizimi i petty cash, angazhimi i zyrtarëve shtesë financiar, konkurset për drejtuesit, renovimet dhe sigurimi i hapësirave shtesë, janë disa nga veprimet për t’i adresuar nevojat e institucioneve publike të kulturës. Në anën tjetër, mbështetja e përgjithshme për artistë dhe organizata kulturore për vitin 2021 është 3.8 milionë Euro, një rritje prej 60 përqind, krahasuar me vitin e kaluar.

KultPlus: Edhe këtë vit, filmi dhe sporti janë dy fushat më të arrira, ku edhe Kosova është përfaqësuar dhe po vazhdon të përfaqësohet në mënyrën më të mirë, a do të krijoni një fond edhe më të madh për këto dy fusha?

Hajrulla Çeku: Fondi shtetëror për filmin është dyfishuar për 2022, ndërsa buxheti do të rritet edhe viteve në vijim. Gjatë vitit 2022 do të miratohet ligji i ri për kinematografinë për të krijuar kushte nxitëse për zhvillimin e industrisë së filmit. Buxheti për sportin është rritur gjatë vitit 2021. Mbështetja e përgjithshme për federatat e sportit, klubet sportive dhe sportistët është 6.35 milionë Euro, 57 përqind më tepër se në 2020 dhe 51 përqind më tepër se në 2019.

KultPlus: Serbia vazhdon të krijojë filma për luftën e Kosovës, duke e shtrembëruar të vërtetën, të cilët kanë realizuar filma edhe për Kosharen, Reçakun, duke mos përjashtuar edhe shumë filma dokumentarë po për luftën e Kosovës, a do të duhej të kishim një thirrje të veçantë, për filma me tematikë të caktuar, në mënyrë që të realizohen sa më shumë filma për luftën e Kosovës?

Hajrulla Çeku: Filmat për luftën e Kosovës janë prodhuar dhe do të prodhohen në vazhdimësi. Gjatë vitit 2022 do mbështesim krijimtarinë audio-vizuele për të promovuar të vërtetën mbi luftën dhe shtetin e Kosovës nëpër botë.

KultPlus: Kur jemi te kjo thirrje, duke pas parasysh edhe bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, a do të duhej që një thirrje e tillë të ishte e përbashkët?

Hajrulla Çeku: Veprimtaria filmike ndjek metodën e bashkëprodhimit. Filmi “Zgjoi” është një shembull ilustrues, pasi edhe Shqipëria është njëra nga bashkëprodhueset. Besoj që viteve në vijim do të kemi bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë në fushën e prodhimtarisë filmike.

KultPlus: Prej pasluftës e këndej, çdo ministër ka premtuar ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, por që ende ky objekt mbetet vetëm premtim për zgjedhje. Në ndërkohë, para objektit, ju themeluat institucionin e operës, sa mendon se kemi kapacitet kuadrosh për funksionalizimin e një institucioni të tillë?

Hajrulla Çeku: Institucioni i Operës së Kosovës është themeluar, ka mbajtur koncertin inaugurues, ka miratuar aktet e brendshme, ka strukturën drejtuese dhe është në përgatitje të programit të rregullt vjetor për vitin 2022. Ne jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës, dhe në momentin e ndarjes së lokacionit do të shpallet edhe konkursi për projektim, për te vazhduar pastaj me hapat e nevojshëm për ndërtimin e Teatrit të Operës.

KulPlus: E sa i përket objektit të Operës dhe Baletit, sa herë keni folur për këtë objekt, por edhe institucionit nuk iu keni referuar si Opera dhe Baleti i Kosovës “Ibrahim Rugova”, por vetëm Opera dhe Baleti i Kosovës, a ka ndonjë ndryshim në emërtim, pasi që më herët, këtij objekti i janë referuar me emrin e Ibrahim Rugovës?

Hajrulla Çeku: Fokusi im janë puna dhe realizimi i zotimeve. Institucioni është funksionalizuar, në radhë është ndërtesa.

KultPlus: E sa i përket Sallës Koncertale, do të mbetet objekti Gërmia, apo pritet të ketë ndonjë ndryshim?

Hajrulla Çeku: Procesin e ndërtimit të sallës koncertale në objektin e Gërmisë nuk mund ta kthejmë në pikën zero, pasi janë zhvilluar disa faza të procedurës. Viti 2022 duhet të na gjejë me dinamizim të punëve drejt synimit të përbashkët për sallë koncertale.

KultPlus: Ndërkohë, së fundi keni diskutuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën edhe për objektin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, mund të na shpjegoni se ku dhe si do të realizohet ky objekt?

Hajrulla Çeku: Në fillim të vitit të ardhshëm do të ngritet një këshill profesional për konceptimin dhe themelimin e institucionit. Bashkë me Komunën e Prishtinës do ta identifikojmë hapësirën më të përshtatshme ku do të vendoset Muzeu i Artit Bashkëkohor. Bienalja nomade Manifesta do të jetë platforma profesionale e dialogut gjithëpërfshirës për themelimin e institucionit.

KultPlus: Kur jemi te objektet, mund të flasim për objektin e Kishës Ortodokse brenda kampusit, mund të jetë si alternativë për ndonjë projekt kulturor?

Hajrulla Çeku: Për strukturën në fjalë që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ekziston një proces i hapur gjyqësor. Pa përfunduar procesi gjyqësor nuk mund të ndërmarrim ndonjë veprim.

KultPlus: Kur jemi te themelimi i institucioneve, objekteve dhe iniciativave të ndryshme kulturore, Kosovës edhe më tej i mungon festivali i këngës, e që do të duhej të funksiononte brenda RTK-së. E dimë që ende nuk jemi anëtarë të EBU-së, që Kosova të përfaqësohet në Eurovizion, por a nuk do të duhej që Kosova të krijonte një traditë me këtë festival edhe para se të fillonte përfaqësimin?

Hajrulla Çeku: Mendoj që është ide e mirë. Duhet të flasim me RTK-në.

KultPlus: Ndërkohë, kemi një përfaqësim super dinjitoz në nivel ndërkombëtar, kur kemi parasysh suksesin e Dua Lipës, Rita Orës, Erza Muqollit, “Gjon’s Tears” dhe shumë artistëve të tjerë, kur kemi gjithë këta artistë të famshëm, a do të duhej të mendonim më seriozisht për një projekt që mund ti bashkonte këta artistë?

Hajrulla Çeku: Edhe kjo mendoj që është ide shumë e mirë.

KultPlus: Dhe për fund, cili është plani kryesor i vitit 2022, qe është edhe prioritet i MKRS-së, por edhe i Qeverisë së Kosovës, sa i përket fushës së kulturës?

Hajrulla Çeku: Viti 2022 është i reformës në sferën e kulturës. Do ta ndërtojmë bazën e nevojshme për funksionim efikas të institucioneve publike të kulturës dhe partneritet strategjik e fuqizim të skenës së pavarur kulturore. Do t’i dinamizojmë procedurat për Sallën Koncertale, Muzeun e Artit Bashkëkohor, Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin e ri Kombëtar./ KultPlus.com

Të ngjajshme