займ на карту онлайн потребительский кредит

Yll Rugova: Jeta kulturore në kryeqytetin tonë është e veçantë, duhet të ruhet dhe nxitet më tutje

Janar 26, 2018 - 3:42 pm

Sapo është emëruar drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe qysh tashti ka prezantuar pikat më të rëndësishme që do të fokusohet përgjatë mandatit të tij. Yll Rugova, në një intervistë të dhënë për KultPlus ka shpjeguar se si e sheh Prishtinën përgjatë mandatit të tij, gjithnjë në fushë të kulturës, duke i specifikuar edhe katër shtylla kryesore. Ai ka folur edhe për investime kapitale, sikurse është ndërtimi i sallës koncertale, por, sipas tij, ndërtimi i sallës nuk mund të bëhet pa u themeluar institucioni, dhe sipas tij, deri më tash kjo çështje është trajtuar mbrapsht. Yll Rugova ka folur edhe për një specifikë tjetër të Prsihtinës, të cilën nuk e kanë vendet e tjera, atë të kafeneve dhe të restauranteve. “Gjatë viteve të nëntëdhjeta, kafeteritë kanë qenë hapësirat e vetme publike që na janë lejuar. Aty kemi themeluar parti politike, kemi themeluar klube sportive, kemi themeluar biznese. Kafja është hapësirë thelbësore për qytetarin e Prishtinës”, ka thënë mes tjerash Yll Rugova.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju tashmë jeni drejtori i këtij mandati për Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, fillimisht na tregoni se në çfarë gjendje e keni gjetur këtë drejtori?
Yll Rugova:
Në zotimet e programit zgjedhor ne kemi parashikuar disa projekte që do të duhej të ndikonin më rrënjësisht në situatën e kulturës në Prishtinë. Na duhen investime në infrastrukturë të denjë për aktivitete artistike dhe kulturore, na duhen mekanizma që nxisin përkrahjen e talentit dhe kreativitetit, na duhen politika adekuate për zhvillimin e turizmit dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Në mandatin e fundit për shkaqe të ndryshme janë ndërruar 3 drejtorë në këtë drejtori, dhe kjo ka ndikuar që një pjesë e madhe e punëve të mbesin në duar tona për t’u zhvilluar tutje.

KultPlus:Pse e pranuat këtë pozitë?
Yll Rugova:
Kultura, në përgjithësi në Kosovë është e neglizhuar dhe shihet si fushë e parëndësishme që ekziston veçse për të ndarë pozitë gjatë pazareve politike. Në fakt, kultura është e tërë trashëgimia jonë e ruajtur në formë materiale dhe jo-materiale, qoftë në formë historie, në formë vepre arti apo arkitekture. Pra është një përbashkues i identitetit tonë.
Tash 19 vjet pas luftës, ne ende nuk e kemi ndërtuar një narrativë të përballjes sonë gjatë opresionit. Ende nuk e kemi një muze që do të përshkruante çka ka ndodhur gjatë viteve 80 dhe 90, e që do të ishte edukative edhe për gjeneratat e reja, por edhe turistët që vizitojnë. Janë gjëra të tilla që duhet të fillojmë t’i marrim seriozisht.

KultPlus: Ankesat nga komuniteti i artistëve nuk janë të pakta, sa jeni optimistë që të përmirësoni kushtet e këtij komuniteti?
Yll Rugova:
Gjithsesi jam optimist, në të kundërtën nuk do ta pranoja këtë pozitë. Komuniteti artistik megjithatë nuk është grup homogjen, edhe e di që nuk mundet gjithmonë secili të jetë i kënaqur me çasjen dhe punën që bëhet. Por, besoj se me një strategji gjithpërfshirëse, që do të përpilohet në bashkëpunim me komunitetin, do të kemi një udhezues të mirë për kahjen që kultura duhat ta marrë në kryeqytet. Kjo strategji poashtu do të sqaronte detyrat e secilit në pikësynimin e përbashkët.

KultPlus: Dhe për të përmbushë premtimet e juaja në fushën e kulturës, cilën pikë e konsideroni si më të rëndësishmen që duhet të nisni menjëherë me realizim?
Yll Rugova:
Konsideroj që ndërtimi i infrastrukturës fizike dhe strukturore për zhvillim të mirëfilltë kulturor, përfshirë trashëgiminë dhe turizmin është pjesa më e rëndësishme e këtij mandati dhe mandateve që do të vijnë. Duhet të ndërtojmë sistem pune që do të lejonte iniciativat që burojnë nga komuniteti të materializohen në aktivitete të denja kulturore për qytetin. Dhe duhet të pasurojmë jetën kulturore në qytet.
Përveç kësaj, si projekt konkret të preferuar e kam ruajtjen dhe renovimin e Qendrës Historike të qytetit, që do të kthej këtë pjesë të qytetit në hapësirë shumë të frekuentuar për qytetarët dhe për turistët. Ky projekt besoj se do të markojë poashtu një pjesë të historisë së qytetit duke lejuar që shtresat e ndryshme të zhvillimit të vihen në pah. Në një analizë të thjeshtë, mund të shohim se ne sot kemi 3 periudha shumë të dukshme në qytet, periudhën otomane, periudhën moderniste të socializmit, dhe periudhën post 1999. Të gjitha këto periudha janë pjesë e memories kolektive të cilat na japin një ndjesi të identitetit kolektiv në qytet. Në këtë sens, me një shenjëzim adekuat dhe me konservim të duhur të kësaj historie ne do të krijojmë ambiente shumë të këndshme për qytetarët dhe turistët. Duke mundësuar që ngjarjet që kanë ndodhur në këtë qytet të bashkjetojnë me të tashmen.
Sa për kuriozitet, do ta përmend një ngjarje historike, Pjetër Bogdani kryengritjen ndaj perandorisë Osmane e ka organizuar pikërisht në Prishtinë, ku në bashkëpunim me forcat austriake për një periudhë disa vjeçare ka jetuar në këtë qytet. Pas vdekjes nga mortaja, ai është varrosur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, nga ku më pas është zhvarrosur në shenjë hakmarrjeje nga forcat otomane. Pra, në rrugët që sot janë aty te Hamami i Vjetër i qytetit (pjesë e projektit që do të renovohet), në vitet 1600 ka pasur organizim politik, ka pasur konflikt, ka pasur jetë, njësoj si sot.

KultPlus: Po për prioritetet e juaja përgjatë mandatit, çfarë prioritete keni për funksionimin e kulturës sipas strategjisë suaj?
Yll Rugova:
Janë katër shtylla që duhet të fokusohemi: krijimi i konturave për zhvillim të pavarur të aktiviteteve artistike e kulturore, investime në infrastrukturë kulturore, mbrojtje e trashëgimisë dhe zhvillimi i turizmit.

KultPlus: Ju për shumë vite keni vepruar si pjesë e Shoqërisë Civile, e keni më të lehtë që të kuptoni angazhimin e Skenës së Pavarur, apo keni ndonjë planifikim tjetër sa i përket këtyre artistëve?
Yll Rugova:
Gjithsesi ideja është të institucionalizohet bashkëpunimi mes komunitetit dhe komunës, në mënyrë që të krijohen mekanizma të përhershëm drejtues në duar të pjestarëve nga Shoqëria Civile. Kjo, në thelb është një ndërmarrje shumë e rëndësishme dhe delikate, që kërkon vëmendje të madhe në politikat që zhvillohen dhe mënyrat e modelimit. Kur kjo pjesë të bëhet si duhet, strategjia, institucionet e reja dhe vetë raportet në komunitetin heterogjen do të jenë më të mira.

KultPlus: Pikërisht kur jemi te Skena e Pavarur, përgjatë mandatit të juaj, cilët do të kenë më shumë prioritet: institucionet vartëse të Komunës apo ato të Skenës së Pavarur?
Yll Rugova:
Ideja është që t’i jepet përparësi cilësisë, duke e nxitur. Nuk është me rëndësi nëse vjen nga Skena e Pavarur, apo nga institucionet vartëse.

KultPlus: Ju keni përcjellë shumë aktivitete kulturore sa keni qenë edhe pjesë e Shoqërisë Civile, në cfarë pike i vlerësoni krejt këto zhvillime kulturore në vend?
Yll Rugova:
Shumë qytete, duke përfshirë disa qytete të mëdha, kanë mungesë të asaj që disa e quajnë “shpirti i qytetit”. Unë besoj, dhe ashtu ndihem, se në Prishtinë mbretëron një atmosferë shumë e mirë kolektive, e cila kryesisht merr jetë nga baret dhe restaurantet e shumta të vendit. Prishtina tashmë e ka njëfarë tradite me kafeteritë. Gjatë viteve të nëntëdhjeta, kafeteritë kanë qenë hapësirat e vetme publike që na janë lejuar. Aty kemi themeluar parti politike, kemi themeluar klube sportive, kemi themeluar biznese. Kafja është hapësirë thelbësore për qytetarin e Prishtinës. Besoj se kjo kulturë e kafesë vërehet pastaj edhe në organizimet tjera kulturore, prej ekspozitave artistike, e te muzika jazz, elektronika, arkitektura, poezia, madje deri te mënyra qysh Filharmonia e Kosovës organizon koncerte. Besoj se ka diçka të veçantë në jetën kulturore të kryeqytetit tonë që duhet të ruhet dhe nxitet më tutje.

KultPlus: Synon që të rrisësh cilësinë e zhvillimeve?
Yll Rugova:
Gjithsesi, intensitetin, cilësinë por edhe sasinë. Si projekte ma të rëndësishme koncertale është t’i ndërtojmë 2 muzeume të reja për qytetin (njëri nga ta është një lloj galerie e artit) dhe sallën koncertale.

KultPlus: Ndërkohë, salla koncertale është objekti të cilin e kanë premtuar të gjitha partitë, por që asnjëherë nuk është ndërtuar. Dhe pikërisht kjo sallë ka lidhshmërinë e bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës dhe MKRS-së, sa jeni optimist që ky mandat do të përmbyllë edhe këtë premtim mbi dhjetëvjeçar?
Yll Rugova:
Procesi si është inicuar kjo sallë ka qenë nga fillimi e destinuar të dështojë. Salla koncertale, megjithatë është një institucion, dhe nuk mund të ndërtohet objekti, pa u themeluar së pari institucioni. Besoj se ka qenë projekt i nisur nga kulmi dhe jo nga themeli. Ne synojmë që të nisim mbarë këtë proces, dhe shpresojmë në bashkëpunim edhe të MKRS-së, por edhe nga komunat tjera të Qarkut të Prishtinës. Prishtina si kryeqytet me një sallë të tillë plotëson nevojat jo vetëm të qytetit, por edhe të gjithë vendit. Kosova është kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk e ka një sallë të mirftillë koncertale.

KultPlus:Më herët është deklaruar se si mundësi të shndërrimit të sallës koncertale është edhe objekti i ATK-së, do të ketë lëvizje në këtë drejtim, apo do të shqyrtohet edhe ndonjë hapësirë tjetër?
Yll Rugova:
Për momentin jemi duke e analizuar këtë mundësi, dhe koston që mund ta ketë. Jemi duke analizuar të gjitha rrugët më të mira për ta bërë të mundur këtë sallë.

KultPlus: Përpos këtij objekti të sallës koncertale, keni edhe ndonjë premtim tjetër madhor që e konsideroni si të domosdoshëm që ta realizoni përgjatë mandatit tuaj?
Yll Rugova:
Jemi duke e zhvilluar planin e veprimit për projektet e premtuara, në kuadër të zotimeve zgjedhore e kemi përmendur Muzeun “Ibrahim Kodra”, Galerinë e qytetit (që me koleksion permantent do të kthehej poashtu në muze), renovimin e Qendrës Historike dhe sallën konertale. Besoj këto 4 projekte janë kryesoret sa i përket madhësisë.

KultPlus: Dhe për fund, sa do të angazhoheni që Komuna të krijojë edhe një shtrirje bashkëpunimi edhe në nivel rajonal?
Yll Rugova:
Personalisht jam idhtar i idesë që Prishtina sa më shumë ta shohë vetën si një qendër e një qarku më të madh që përfshin Fushë Kosovën, Kastriotin, Drenasin, Lipjanin, Artanën dhe Podujevën. Si qark, apo si njihet ndryshe edhe “zonë metropolitane” (megjithëse me ligj nuk njihet me këtë emër) Prishtina i ka mbi 500,000 banorë. Sidoqoftë, së pari jemi në pritje të ligjit për kryeqytetin, por gjithsesi është mirë që të fillojmë edhe ta shohim veten në këtë mënyrë. Besoj se do të ishte interesant që një pjesë e këtyre institucioneve të reja kulturore që do të themelohen të kenë bashkëpunim rajonal që në start./KultPlus.com

Të ngjajshme