1200 artistë në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, Margariti: Festojmë gjithë bukurinë shqiptare

18 Qershor, 2023 - 9:30 pm

Skenës së Festivalit Folklorik Kombëtar po i vendosen elementët e fundit për të pritur grupet folklorike dhe artistët në mbrëmjet nga 24 qershori deri më 1 korrik 2023.

Rikthimi i Festivalit Folklorik Kombëtar do ta shndërrojë Gjirokastrën në kryeqendrën e kulturës dhe turizmit për më shumë se një javë.

Kur na ndajnë pak ditë nga nisja zyrtare e Festivalit, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi inspektuan ecurinë e përgatitjeve për zhvillimin jo vetëm të Festivalit por edhe një mori aktivitetesh të tjera që do të zhvillohen gjatë ditëve dhe që kanë për qëllim promovimin e etnografisë, produkteve artizanale, kulinarisë etj.

“Sot kemi një ditë të veçantë sepse kemi ardhur në Gjirokastër për të parë ato elementit e fundit të Festivalit. Jam shumë e kënaqur me grupin që kemi punuar, kur shohim finalizimin e përpjekjeve. Nuk ka periudhë më të mirë, për t’u organizuar. Në Kala do festojmë të gjithë bukurinë shqiptare. Me Flamurin kemi bërë një punë të madhe këto ditë”, u shpreh për mediet ministrja Margariti.

Në skenën e Festivalit Folklorik në Gjirokastër do të interpretojnë 1200 artistë nga 12 qarqet e vendit përzgjedhur nga komisioni artistik. Do të ngjitet në skenë gjithashtu grupi nga Kosova me 60 pjesëmarrës. Interpretim fantastik pritet të ketë edhe ansambli “Shota”, nga Kosova me 50 pjesemarrës. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Arbereshët e Italisë, grupi i Shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, asambli me shqiptarët e Zvicrës, si dhe asamblet nga Londra dhe grupet shqiptare nga Athina pritet të jenë një tjetër suprizë për publikun shqiptarë dhe turistët.

Përveç skenës në qendër të kalasë së Gjirokastës, pasuri e mbrojtur nga UNESCO, do të ketë edhe skena të tjera me 90 të ftuar special të muzikës popullore moderne, shqiptare dhe të huaj duke i bërë netët të paharrueshme për të gjitha grupmoshat.

Përveç performancave muzikore, një ‘guidë’ e veçantë për Gjirokastrën dhe Shqipërinë turistike do të jenë një serë aktivitetesh promovuese të etnografisë, zejtarisë, kulinarisë etj./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme