14 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

2 Prill, 2023 - 10:58 am

Në prill të vitit 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut-NATO, shkruan KultPlus.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26  Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës të Samitit të NATO-s në Bukuresht, ku u ftuan Shqipëria dhe Kroacia të fillonin bisedimet për anëtarësim.

Vendimi për zgjerimin e Aleancës erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. 

“Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë” thuhet në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Pas disa takmeve dypalëshe në mes të ekspertëve të NATO-s dhe përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, u konfirmua zyrtarisht interesi dhe vullneti i shtetit të Shqipërisë për të qenë pjesë e NATO-S, nga ku edhe u hartua një kalendar me afate të caktuara kohore, për përmbushjen e reformave dhe kritereve të domosdoshme.

“Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj”, thuhet në ëebfaqen e Ministrisë së Jashtme.

Më 9 korrik të vitit 2008, gjatë një ceremonie të veçantë në selinë e NATO-s në Bruksel, Protokollet  e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, iu bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit si akte juridike, duke u afruar edhe një hap drejt antarësimit në Aleancën Atlantike.

Ndërsa më 4 prill 2009, Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare e NATO-s me të drejta të plota në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl.

Kurse më 7 prill 2009, në Selinë e Aleancës në Bruksel, përmes një ceremonie zyrtare u ngritën flamujt e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Anëtarësimi në NATO i shtetit të Shqipërisë, i ka dhënë mundësinë që përmes pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike e, gjithashtu edhe me sigurinë kombëtare.

Pas vitit 2014, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj  në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme