26 vite pa Zahir Pajazitin, krerët e vendit bëjnë homazhe të përmendorja e tij në Prishtinë

31 Janar, 2023 - 12:04 pm

Sot janë bërë 26 vite pa Zahir Pajazitin, njërin ndër komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), shkruan KultPlus.

Pajaziti lindi më 1 Nëntor 1962 në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës dhe ra dëshmorë më 31 Janar 1997 në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, pasi ra në një pritë të organizuar nga forcat serbe. Ai njihet si Pushka e Parë e Lirisë dhe pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Sot, në këtë përvjetorë të 26-të, në sheshin që mban emrin e tij, presidentja e vendit dhe kryeministri bashkë me ministra të tjerë, kanë bërë homazhe te përmendorja e tij në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se veprat e heronjëve si Zahiri, Hakifi Zejnullahur e Edmond Hoxhës, janë shumë të rëndësishme për lirinë, shtetin dhe pavarësinë e vendit tonë.

“Në sheshin që mbanë emrin e tij, në Prishtinë bëmë homazhe para përmendores së komandantit Zahir Pajaziti.

Në 26 vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani Sadriu dhe me Zëvendëskryeministren e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, me ministra të Qeverisë sonë e deputetë të Kuvendit, përkujtuam veprën e tyre për lirinë, për shtetin dhe për pavarësinë tonë.

Lavdi të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të popullit tonë!”, shkruan Kurti. / KultPlus.com

Të ngjajshme