32 vjet nga vdekja e aktores së shquar shqiptare, Marie Logoreci

19 Qershor, 2020 - 8:00 pm

Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit, pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër ‘Fëmijët e saj’, dhe me pas në filmin e parë shqiptar ‘Tana dhe Toka jonë’ etj. Ajo luajti në filmin televiziv, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare, shkruan KultPlus.

Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te Çështja ruse, Alisa Lengton te Rrënjë të thella, Kristina Padera tek Komploti i të dënuarve, Fatimja te Halili dhe Hajrija, Aljona Patrovna te Gjashtë dashnorët, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te Intrigë e dashuri, Tringa te Shtatë shaljanët, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te Shtëpia e Bernarda Albës, Tadrahova te Morali i zonjës Dulska, nëna Xhun te Muri i madh pakapërcyeshëm’, Mara te Përkolgjinajt, plaka te Çatia e të gjithëve, nëna te Cuca e maleve, Gjela te Përmbytja e madhe.

Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.

Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit. /KultPlus.com

Të ngjajshme