56 vjet nga tërmeti që kishte goditur Shkupin (FOTO)

26 Korrik, 2019 - 11:00 am

Shkupi me disa aktivitete dhe manifestime shënon 56 vite nga tërmeti katastrofal në vitin 1963, në të cilin 1.070 njerëz e humbën jetën, ndërsa 3.000 u lënduan.

“Çdo vit, 26 korriku na përkujton solidaritetin e shkupjanëve dhe solidaritetin e botës në vitin 1963 kur tërmeti katastrofal, me fuqinë e vet shkatërruese mori shumë jetë njerëzish dhe Shkupin e shndërroi në rrënojë. Kjo datë është skalitur në memorien kolektive për Shkupin si një nga momentet më të vështira në historinë e vet të ekzistimit”, informojnë nga Qyteti i Shkupit.

Delegacione zyrtare dhe përfaqësues të institucioneve sot do të vendosin kurora lulesh në Varrezat e qytetit në Butel, para Përmendores së viktimave nga tërmeti katastrofal. Aksioni tradicional i dhurimit të gjakut do të mbahet prej orës 9:00 deri në orën 17:00 në Shtëpinë e organizatave humanitare “Dare Xhambaz”.

Në parkun e qytetit, afër “Guacës”, sonte në orën 19:30, me koncert të Korit të përzier të qytetit “Vardar” do të fillojë koncerti me të cilin Qyteti i Shkupit këtë vit e shënon 26 korrikun. Më pas do të pasojnë Big Bendi nën udhëheqjen e Ljupço Mirkovskit, këngëtares Kanita Suma, mjeshtrit grek në harmonikë, Tanos Stavridis, këngëtares serbe të muzikës burimore, Bilja Kërstiq dhe Vllatko Stefanovskit.

Plotësisht, institucionet e qytetit çdo vit përfshihen në shënimin e 26 korrikut.

Qendra rinore kulturore (QRK) e përgatitë ngjarjen “QRK prë Shkupin” me program tërëditor. Krahas dy punëtorive kreative për fëmijë të cilat do të fillojnë në orën 18:30 për shkrim kreativ, ilustrim dhe vizatim dhe programit të pasur muzikor, vizitorët saktë në mesnatë do të kenë mundësi ta shohin edhe projeksionin e realizimit më të ri të regjisorit Rade Sherbexhija “Çlirimi i Shkupit”.

Në Muzeun e Qytetit të Shkupit në rrjedhë është ekspozita e freskokopjeve nga rajoni i Shkupit.

Nesër në orën 19:00 në Parkun e qytetit, tek “Guaca” do të mbahet edhe punëtori për fëmijë “Ngjyrose Shkupin”, inspiruar nga “Shkupi 091”.

Shënimi i kësaj dite është përkujtues për të gjithë ne për dorën e shtrirë nga njerëzit human dhe për atë se çka bëri bota për ne në ato momente të rënda dhe tragjike.

Tërmeti katastrofal ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në orën 05:17, ndërkaq goditje më të vogla pati deri në orën 05:43. Tërmeti i Shkupit u ndje në hapësirë prej rreth 50.000 metrash katror. Nga goditja u rrënuan 15.800 banesa, ndërkaq u dëmtuan 28.000. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.

Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave nacionale të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim të gjitha parlamenteve dhe qeverive të ndihmojnë në riparimin e qytetit. organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

Kombet e Bashkuara menjëherë pas katastrofës ndërmorën aktivitete që në mënyrë planifikuese dhe afatgjate t’i ndihmohet qytetit të shkatërruar. Në kohën kur ekipe ekspertësh të KB-së filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e organizatës ndërkombëtare u tha se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator të vitit 1963 35 vende kërkuan që Asamblea e Përgjithshme të vendosë në rend dite të mbledhjes së vet pikë për ndërmarrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Pas katër ditësh, më 27 shtator, Asambleja e përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për ofrim të ndihmës për Shkupin.

Më 14 tetor, pas diskutimit dyorësh, Asamblea e përgjithshme e KB-së, unanimisht miratoi Rezolutë për ofrim të ndihmës qeverisë jugosllave gjatë rikonstruimit të Shkupit. Në Rezolutë shprehet keqardhja me rastin e katastrofës së madhe. Në debatin për ofrimin e ndihmës për Shkupin, Asamblea e përgjithshme e dëgjoi fjalimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë hyri në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.

Në historinë e vet të gjatë, qyteti disa herë është shkatërruar dhe sërish ka rilindur. Në hapësirën ndërmjet fshatrave Zllokuqan dhe Bardovc ka ekzistuar qyteti Skupi, metropol i Dardanisë. Ky qytet romak në vitin 518 ishte shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në Dardani ishin rrënuar 24 kështjella të qytetit. Fuqia e atij tërmeti ishte 10 – 11 ballë. Tërmeti katastrofal tërësisht e shkatërroi Shkupin. Gjatë goditjes ishin krijuar shumë të çara në tokë. Nga kodrat përreth u rrënuan masa të mëdha shkëmbinjsh. Shkupi më pas u ndërtua në vendin e sotëm.

Edhe qyteti i ri nuk u kursye nga dukuritë sizmike. Tërmeti tjetër katastrofal ndodhi në vitin 1555. Fuqia e tij ishte rreth 10 ballë, pas çka qyteti sërish ishte shkatërruar.

Shkatërrimi i tretë i madh katatrofal i Shkupit ndodhi para saktë 55 viteve, në mëngjesin e 26 korrikut të vitit 1963 në orën 05:17 minuta./MIA / KultPlus.com

Të ngjajshme