6 vjet pa ‘Mësuesin e Popullit’ Kolec Topalli

25 Maj, 2024 - 2:40 pm

Nga Bledi Filipi

Vepra që profesor Kolec Topalli ka lënë pas ka rëndësi në fushën fonetike, gramatike edhe etimologjikë të shqipes.

Mbetet  një personalitet i shquar në shkencat gjuhësore dhe filologjike, si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe si Mësues i Popullit që ka dhënë kontribute të shumta në fushën e arsimit, kulturës edhe shkencës sonë gjuhësore. Profesor Koleci e meriton nderimin, se ka lënë një vepër të madhe në disa drejtime; në fushën fonetike, gramatike të shqipes dhe të etimologjisë. ” (S.Mancaku, 2021)

Gjashtë vjet më parë u shua akademiku Kolec Topalli, i cili një jetë të tërë ja kushtoj shqipes.

Gjuhëtar, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Shkodër, më  4 dhjetor 1938 dhe u shua në Tiranë më , 24 maj 2018.

Në Shkodër  kreu dhe shkollën e mesme dhe  ndoqi studimet e larta në ILP të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992-1997), punonjës shkencor Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997-2006), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006-2007). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991). Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës historike të shqipes. (FESh III, 2008)

Që nga fillimet e viteve ’70 e deri në  vitet e fundit të jetës nuk rreshti së shkruari për çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe shqipes së sotme.

Titullar i lëndës, fonetikës historike në Universitetit e Tiranës. I numërohen më shumë se 180 tituj : monografi, kumtesa etj. Ndër veprat e tij më të rëndësishme përmendim:

“Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “ Për historinë e hundorësisë së zanoreve shqipe“ (1996);

“ Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998); “ Bazat e fonetikës të gjuhës shqipe” (2005); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “ Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “ Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017) etj.

Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe është një vepër madhore për etimologjinë shqipe. Autori si pikë referimi ka pasur studimet e Çabejt, që i kanë shërbyer njëherazi edhe si pikëmbërritje dhe si pikënisje; si pikëmbërritje, meqenëse në hulumtimet e tij janë përmbledhur të gjitha studimet e mëparshme bashkë me kritika përkatëse; si pikënisje, meqenëse plotësimet, shtesat e zgjidhjet e reja  i ka bërë nga ky dijetar, ashtu sikurse ai vetë në kohën e tij mori si pikë referimi studimet etimologjike të Gustav Mayerit. (FEGjSh, 2017-7, K.T)

Për këtë Fjalor autori ka pohuar se punën kërkimore e kishte nisur qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe u kurorëzua në vitin 2017.

Fjalorët etimologjikë janë një pasqyrë e historisë së gjuhës dhe në një kuptim më të gjerë janë pasqyrë e historisë së vet popullit që e flet atë.

Me anë të tyre shkohet në thellësi deri te rrënjët e gjuhës, aty ku kanë gurët e themelit, e ruajtur në shekuj e mijëvjeçarë dhe e zhvilluar dhe e përpunuar në rrjedhat e kohës. ( FEGjSh,2017, K.T)

Fjalori u shërben të gjithëve. U shërben albanologëve, indoevropianistëve, ballkanologëve, helenistëve, romanistëve, sllavistëve etj.

Autori në Fajlor shtjellon nga ana etimologjike një pjesë të madhe të pasurisë leksikore të gjuhës shqipe, të cilën e ka vjelë nga fjalorë të botuar, materiale folklorike a dialektore dhe shkrimet e autorëve të vjetër dhe të rinj. Ai përmban fjalë të fondit të tashëguar indoevropian, krijime të brendshme të shqipes, huazime antike e mesjetare, ndërkombëtarizma etj.

Struktura e fjalorit është e tillë që mundëson, krahas analizës etimologjike, edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, që janë të domosdoshme për të arritur te burimi i fjalës.

Por që nga dalja në dritë e veprës e deri më sot, janë shfaqur një sërë “gjuhëtarësh” që e sulmojnë duke thënë që duhet ndaluar. Ata që hedhin baltë mbi veprën e Topallit duhet të dinë një herë e mirë që etimologjia shkencore do fakte dhe jo fjalë.

Por një oërgjigje për ta e ka dhënë prof. Seit Mancaku: ““Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është vepër e autorit, e nisur 50 vite më parë, edhe e përfunduar në fund të jetës. Unë kam qenë recensent i fjalorit. Kritikat që i bëhen të them të drejtën nuk janë shkencore. S’ka vepër që mund të mos i bëhen vrenjtje. Një vepër kaq e madhe, që të shkruash mijëra fjalë dhe të gjesh etimologjinë e  tyre, ka vend edhe për vrejtje. Por vrejtja kryesore që ka rritur peshën specifike të fjalëve të huaja në dëm të gjuhës shqipe, nuk qëndron. Është një drejtim studiuesish, që mendojnë se shqipja është nëna e të gjithë gjuhëve. Ato fjalë që ne i kemi nga latinishtja, ata mendojnë se i ka marrë latinishtja nga ne. Por. duhet të jemi objektiv, por jo indiferent.”

Mancaku më tej thekson se Koleci ka lënë një vepër të madhe dhe te dobishme, që duhet të nderohet dhe brezat e ardhshëm. Sikundër, duhet të punohet edhe për Fjalorë të rinj Etimologjikë në të ardhmen (S.M. 2021)

Në mbyllje do të citoj prof. dr.Valter Memisha me kumtesën e mbajtur në Shkodër në paraqitjen e veprës në Universitetin “Luigj Gurakuqi”:

Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, i hartuar nga K. Topalli, i cili plotëson zbrazëtinë e së shkuarës, është i domosdoshëm për të tashmen dhe do të jetë po kaq i domosdoshëm dhe pikë referimi për të ardhmen. Një vepër e tillë, për vështirësitë e mëdha që ka kjo fushë dhe për mangësitë e tjera që paraqet studimi i shqipes, nuk mund të quhet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Ajo përbën vetëm një piketë të re në udhën e gjatë të studimeve etimologjike për gjuhën shqipe./tema/KultPlus.com

Të ngjajshme