64 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës nga janari në maj

4 Qershor, 2025 - 4:21 pm

Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Për periudhën janar-maj 2025, Kalaja e Gjirokastrës priti më shumë se 64,000 vizitorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve është rritur me 10%, duke dëshmuar edhe një herë interesin e lartë për këtë trashëgimi unike kulturore dhe historike.

Kalaja e Gjirokastrës ishte siti më i vizituar edhe gjatë vitit 2024. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, gjatë vitit 2024, kjo kala u vizitua nga 263,048 persona.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të Gjirokastres por edhe në rang vendi.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme