65 vite bashkë me fjalën e shkruar, Petrit Hidri, zemra e bibliotekës së Elbasanit

31 Korrik, 2025 - 7:45 pm

Një nga lexuesit më të përkushtuar dhe më të vjetër të bibliotekës publike “Qemal Baholli”, është Petrit Hidri, 76 vjeç nga Elbasani. Ai ka një lidhje të fortë me librin, një pasion që e ndjek prej 65 vitesh pa pushim.

Që nga koha kur ishte nxënës në klasën e pestë, Petriti është bërë pjesë e pandarë e kësaj biblioteke, ku lexon çdo mëngjes letërsinë klasike botërore, nga autorët rusë, francezë, italianë e amerikanë. Për të, biblioteka është më shumë se një vend për të marrë libra, është shtëpia e tij e dytë, ndërsa leximi është një nevojë po aq e domosdoshme sa frymëmarrja.

“Kam hyrë në këtë bibliotekë që nga fëmijëria, dhe që atëherë jam bërë mik i saj i përhershëm. Sidomos pas daljes në pension, nuk e shikoj më vetëm si bibliotekë, por si një shtëpi të dytë për mua,” tregon Petrit Hidri.

Libri për të është ushqimi i përditshëm pa të cilin nuk mund të jetojë. Ai shpreh kënaqësinë që pasioni për leximin po trashëgohet edhe nga brezat e rinj. Vajza e tij ka krijuar një bibliotekë personale me libra në shqip dhe në gjuhë të huaja, një trashëgimi që nisi kur ajo ishte fëmijë dhe shikonte librat e babait.

“Ndjej kënaqësi të madhe që çdo ditë shoh se shtohen lexuesit, jo vetëm në sallën e bibliotekës, por edhe në sportel, ku shoh grupmosha të ndryshme që marrin libra për t’i lexuar,” shton ai.

Për Petrit Hidrin, libri nuk është vetëm një burim i dijes, por edhe një mjet për të formuar njerëz më të mirë. Edhe pse koha kalon, ai nuk i mungon asnjë ditë bibliotekës së tij të dashur. Në një kohë kur leximi po bëhet gjithnjë e më i rrallë, Petriti mbetet një figurë frymëzuese për lexuesit e rinj në Elbasan./KultPlus.com

Të ngjajshme