73 vite nga lindja e kompozitorit shqiptar me origjinë armene, Haig Zacharian

8 Maj, 2025 - 4:47 pm

Më 8 maj 1952, në Durrës, lindi kompozitori i njohur shqiptar me origjinë armene, Haig Zacharian. Që në fëmijëri, ai tregoi talent në muzikë, duke filluar mësimet e para për piano dhe teori muzikore në shkollën fillore të qytetit të tij të lindjes.

Në vitet 1969-1973, Zacharian ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve), në klasën e kompozicionit të profesorit të njohur Tonin Harapi. Pas diplomimit, punoi fillimisht si drejtues artistik i ansambleve amatore në Fierzë dhe Tropojë, e më pas, që nga viti 1977, në qytetin e tij të lindjes, Durrës.

Nga viti 1980 deri në 1986, ai ishte mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli”. Pas një periudhe si krijues i lirë, në vitin 1993 u emërua shef i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Në një karrierë që shtrihet mbi katër dekada, Haig Zacharian ka dhënë një kontribut të çmuar në muzikën shqiptare. Ai ka kompozuar vepra të shumta në zhanre të ndryshme – nga muzika e dhomës, veprat korale dhe këngët për fëmijë, te muzikat për filma dhe aranzhimet për ansamble. Veprat e tij janë interpretuar brenda dhe jashtë vendit, në vende si Kosova, Maqedonia, Zvicra, Italia, Austria e Spanja.

Pas viteve ’90, ai u përqendrua në muzikën e dhomës dhe në eksperimentimin me teknika bashkëkohore, duke ruajtur gjithmonë një stil të veçantë e të komunikueshëm.

Zacharian ka kompozuar muzikë për një numër të madh filmash shqiptarë, përfshirë: “Ilegalët”, “E fshehta e një nate”, “Yjet mbi Drin”, “Një ndodhi në port”, “Të mos heshtësh”, “Dora e ngrohtë” dhe shumë të tjerë.

Për kontributin e tij, ai është vlerësuar me një sërë çmimesh e mirënjohjesh, duke mbetur një nga emrat më të spikatur të muzikës shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme