Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për atdhetarin Abaz Bej Lushnja

24 Korrik, 2020 - 8:30 pm

Presidenti Ilir Meta nderoi sot në Shtëpinë historike të Kongresit të Lushnjës atdhetarin Abaz Bej Lushnja (pas vdekjes) me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të shquara atdhetare si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX”.

Në prani të kryetarit të Bashkisë, Fatos Tusha, përfaqësuesve të pushtetit vendor, të shoqatës “Myzeqja” dhe të qendrës së artit “Vaçe Zela”, historianëve, shkrimtarëve dhe personaliteteve të ftuara, Presidenti i Republikës u shpreh “i lumtur të jem sot në Lushnjen tonë historike, në këtë vit kaq të rëndësishëm të 100-vjetorit të Kongresit Historik Kombëtar të Lushnjës, një nga ngjarjet më madhore të kombit shqiptar”.

“Lushnja, vendlindja dhe djepi i shumë patriotëve të shquar, të cilët luftuan dhe u përkushtuan denjësisht në çlirimin e vendit nga armiq të ndryshëm, për pavarësinë e Shqipërisë, për gjuhën dhe flamurin tonë, dhe për ndërtimin e shtetit modern shqiptar, meriton edhe më shumë vëmendje në të ardhmen”, tha Meta.

“Sot kam nderin që në këtë qytet historik të dekoroj një nga figurat më patriotike, më të spikatura e të dashura nga populli i Lushnjes, Abaz Bej Lushnja, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Për kontributin e shquar atdhetar, si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane, në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX”, theksoi Meta.

“Abaz Bej Lushnja ishte dhe vlerësohej nga bashkëkohësit e tij si një njeri i drejtë e i gjerë, i vendosur dhe i prerë. Ai dallohej për shpirtin e gjerë human, duke ndarë edhe bukën me fukaranë. Për myzeqarët, ai ishte beu trim dhe kapedan. Por mbi të gjitha ishte një atdhetar dhe patriot i jashtëzakonshëm që e donte Shqipërinë. Abaz Bej Lushnja nga familja e Ngurzajve dha një kontribut të madh e të vyer si kryetar i Lidhjes Politike–Ushtarake, e njohur si “Besëlidhja e Nëntë Krahinave”, e themeluar në Berat në vitin 1834”, tha Meta. atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme