30 Nëntor, 2024 - 10:55 am
Në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit solli një projekt unik. “Tingujt që Sollën Lirinë” është një përmbledhje e muzikës ikonike të filmave shqiptarë mbi luftën nacional-çlirimtare, interpretuar me mjeshtëri nga Kori dhe Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, e regjistruar në vinil.
Kryeministri Edi Rama solli momente nga kjo muzikë duke theksuar se “është një dhuratë për të ruajtur historinë dhe për ta përcjellë brez pas brezi, me melodi që na kujtojnë heroizmin dhe shpirtin e papërkulur të një populli”.
Tingujt që sollën lirinë” çelën festimet e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Meloditë ikonike të filmave shqiptarë erdhën përmes pianistes Etrita Ibrahimi, zërave të fuqishëm të sopranos Renisa Laçka, tenorit Gerald Murrja dhe Biorn Hoxha, orkestrës dhe korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e maestro Dritan Lumshi.
Kori i Zërave të Bardhë, drejtuar nga Sonila Baboçi, i dha koncertit një emocion të veçantë, duke e bërë këtë mbrëmje një homazh të denjë për historinë tonë kombëtare. /atsh/ KultPlus.com