800 faqe raport për antiziganizmin në Gjermani

10 Korrik, 2021 - 5:00 pm

Komisioni i Pavarur për Antiziganizmin (UKA) prezanton një raport 800-faqësh për antiziganizmin në Gjermani.

Komisioni i pavarur për Antiziganizmin (UKA) u krijua nga qeveria gjermane në vitin 2019 për të analizuar gjendjen e romëve dhe të sintëve në Gjermani. Raporti i paraqitur në Bundestag me titullin: “Ndryshimi i perspektivës – arritja e drejtësisë – pjesëmarrja” – dëshmon diskriminimin e vazhdueshëm të këtyre komuniteteve në Gjermani dhe tregon se si mund të luftohet antiziganizmi.

Që në hyrje të raportit thuhet se: “në shoqëri ka nevojë për një ndryshim thelbësor të perspektivës, për të bërë të qartë praninë e antiziganizmit dhe për të reflektuar në mënyrë kritike dhe me synimin për të kapërcyer raportet e pushtetit dhe dhunës strukturore dhe institucionale që lidhen me të”.

E nevojshme është një politikë për “vendosjen e drejtësisë” për të kompensuar padrejtësinë e bëra ndaj të mbijetuarve dhe pasardhësve të tyre pas Luftës së Dytë Botërore.

Rezultatet e raportit bazohen në tri studime më të mëdha dhe disa më të vogla në të cilat analizohen nevojat, sfidat dhe kërkesat e komunitetit rom dhe sintisi dhe organizatave të tyre në Gjermani.

Rekomandimet e UKA-s

UKA rekomandon emërimin e një komisioneri kundër antiziganizmit, krijimin e një grupi të pavarur këshillues, krijimin e një komisioni të përhershëm shtetëror dhe njohjen gjithëpërfshirëse të gjenocidit nacional-socialist kundër sinti dhe romëve. Po ashtu në Republikën Federale të Gjermanisë duhet të ngrihet një komision për t’u marrë me padrejtësitë e kryera kundër sinti dhe romëve. 

Hajdi Barz koordinatore e “Studimit mbi Fuqizimin e sint*ë-/eza-ve dhe rom*ë-/enja-ve” pranë Shkollës së Lartë Mittweida, thotë se : “Studimi u krye me pjesëmarrjen e njerëzve nga komunitetet duke vënë në jetë kështu qasjen pjesëmarrësore që kërkohet gjithashtu prej shumicës së vetë organizatave, sepse shpesh për sint*ë-/eza-t dhe rom*ë-/nja-t diskutohen dhe merren vendime pa përfshirjen e tyre.”

Studimi i Barz ka nxjerrë në pah edhe larminë e madhe tematike dhe kompetencën transkulturore të organizatave të ndryshme të sintëve dhe romëve.

Roli i mediave

Në raportin e UKA-s trajtohet gjithashtu edhe roli i medias. Mediat duket se kontribuojnë për konsolidimin e stereotipave, sikurse thotë raporton Isidora Randjelovic një prej drejtueseve të studimit: “Një nga arsyet e mungesës së njohurive dhe për formimin e miteve në perceptimin kolektiv është përforcimi mediatik i stereotipave, shtrembërimi i informacionit dhe emocionalizimi i lajmeve në konteksti i bashkësive të sint*ë-/eza-ve dhe rom*ë-/enja-ve”.

Gjatë diskutimit të raportit në parlamentin gjerman mjaft deputetë theksuan përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë në luftën kundër antiziganizmit. Helge Lindh (SPD) tha se fenomeni i antiziganizmit nuk ka të bëjë vetëm me qarqet ekstremiste të djathta, por me të gjithë, shkruan dw.

Këshilli Qendror i sinti dhe romëve gjermanë e përshëndetën debatin. Fakti që qeveria dhe Bundestagu gjerman u morën me raportin e komisionit dhe rekomandimet e tij për veprim është “një hap i rëndësishëm për pakicën dhe gjithashtu për kushtetutshmërinë demokratike të shoqërisë sonë”, thuhet në një deklaratë publike të këtij këshilli.

Parlamenti i ardhshëm dhe periudha e re legjislative do të bëjnë të qartë se çfarë do të zbatohet vërtet nga rekomandimet e raportit të UKA-s. / Gazeta Express / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme