Kryeministri Kurti nderon të rënët në Kaçanik: Lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun

9 Prill, 2024 - 12:28 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 32 civilët që u vranë më 9 prill të vitit 1999 në Rakoc të Kaçanikut, në mesin e të cilëve ishte edhe 105-vjeçari Nebih Livoreka.

“Në betejë me forcat armike të Serbisë që kishin sulmuar popullsinë shqiptare ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së. Sot u mbushën 25 vjet”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shkruar se atë ditë që Kaçaniku ishte rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe që granatonin në të gjitha anët, në mbrojtje të civilëve dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe.

“Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë. Në mesin e tyre edhe katër gra dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. Sikurse që doli në ballë të luftimeve në prill 1999, ashtu në maj 1998 Mukadezja ishte në ballë të protestave kundër dhunës serbe në Kaçanik”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se sot kanë shkuar në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave dhe grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun, duke shtuar se nderojnë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re.

Të ngjajshme