Arti, tradita dhe prodhimet tipike shqiptare prezantohen në Gjenevë

10 Korrik, 2025 - 2:52 pm

Shqipëria do të organizojë sot një aktivitet të posaçëm në selinë e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) në Gjenevë, ku pritet të marrin pjesë mbi 600 delegatë nga e gjithë bota.

Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë me një aktivitet zyrtar në ambientet e “WIPO”, duke sjellë para publikut ndërkombëtar thesaret autentike të trashëgimisë sonë kulturore.

Në këtë aktivitet prezantohen: produkte të mbrojtura si tregues gjeografik, kostume popullore nga krahinat e ndryshme të vendit dhe punime delikate filigrani, simbol i mjeshtërisë shqiptare.

Mbrëmja shqiptare me këngë, valle tradicionale dhe degustim të produkteve tipike shqiptare do të nisë që në orën 18:00. Programi artistik përmban valle tradicionale dhe muzikë nga trevat shqiptare, si dhe një prezantim të veçantë mbi treguesit gjeografikë dhe shprehjet kulturore tradicionale. Kjo është një mundësi e veçantë për të treguar para botës identitetin dhe pasuritë unike kulturore të vendit tonë.

WIPO, një agjenci e Kombeve të Bashkuara, udhëheq zhvillimin e një ekosistemi global të balancuar të pronësisë intelektuale që promovon inovacionin, kreativitetin dhe qëndrueshmërinë. Me 193 shtete anëtare, WIPO mbështet kulturat dhe ekonomitë nëpërmjet mbrojtjes së të drejtave krijuese dhe industriale./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme