Adriana Matoshi zyrtarisht edhe deputete e Parlamentit të Kosovës: Çka punoj e punoj me shpirt

4 Mars, 2021 - 3:47 pm

Adriana Matoshi tashmë ka marrë dritën e gjelbër të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, e cila në total ka grumbulluar 10 mijë e 403 vota, shkruan KultPlus.

Adriana Matoshi e cila njihet si një ndër aktoret më të suksesshme të kinematografisë së Kosovës, e cila numëron edhe shumë çmime nga festivale prestigjioze, tashmë do të jetë edhe përfaqësuese e qytetarëve, e me fokus të veçantë për gratë dhe artistët.

“Jam shumë e lumtur, por në të njëjtën kohë kam edhe një përgjegjësi të madhe”, ka thënë Matoshi për KultPlus, e cila ka spikatë se është e vetëdijshme për punët e mëdha që e presin, por, sipas saj, duke e njohur përkushtimin e saj në çdo angazhim të deritanishëm, edhe angazhimi i saj si deputete do të jetë 100%.

“Çka punoj, e punoj me shpirt”, ka thënë Matoshi, e cila për lexuesit e KultPlus ka thënë se ka shumë gjëra që do të fokusohet e që e kanë preokupuar tash e shumë vite duke përfshirë edhe dhunën ndaj grave, për luftën ndaj parregullsive të shumta që janë bërë nga njerëzit kompetent, dhe shumë pika të tjera.

“Do të fokusohem edhe në drejtësi, në mënyrë që ta qojmë përpara, për aktivitete të shumta të Rinisë së Kosovës, fëmijët pa përkujdesje dhe në shumë fusha të tjera që kanë nevojë emergjente për ndryshim”, ka thënë Matoshi.

Por Matoshi e cila vjen nga bota e artit ka thënë se një fokus të madh do të ketë për zhvillimin e kulturës në vend, që sipas saj, deri tash sa i përket mbështetjes ka qenë si pika e fundit në Qeverinë e Kosovës.

“Ne jemi dëshmitarë të asaj se kultura ka qenë e para me arritje, dhe e fundit me përkrahje institucionale”, ka thënë Matoshi.

Matoshi krejt në fund ka apeluar te të gjithë qytetarët që mos të hezitojë që të kërkojnë mbështetje për të gjitha kërkesat e tyre, pasi që, sipas saj do të jetë në shërbim të popullit të saj.

“I lus që të më lodhin me kërkesa, sepse unë kam me qenë e drejtë dhe njësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Adriana Matoshi përpos që është e njohur në kinematografi, ajo është e njohur edhe për rolet e shumta në teatër dhe seriale./KultPlus.com

Të ngjajshme