AIDSSH kujton firmëtarin e deklaratës së pavarësisë Lef Nosi, pushkatuar nga regjimi komunist

28 Nëntor, 2020 - 4:19 pm

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar kujton sot firmëtari i deklaratës së pavarësisë, Lef Nosi.

I lindur në Elbasan në prill të 1877, firmëtari i deklaratës së pavarësisë, Lef Nosi, kishte kontribut të spikatur patriotik, nënkryetar i Klubit ”Vllaznia”, themelues i shoqërisë “Afëdita”, i gazetës “Tomorri”, revistës “Kopështi letrar” e të tjera.

Ministër i Postë-Telegrafëve në Qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi është krijues i filatelisë shqiptare. Sipas familjarëve dhe të afërmve të tij, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, mes tyre ato me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Veprimtaria e tij në shërbim të Shqipërisë vijoi në shumë drejtime, në hapjen e Shkollës Normale, në kryetar i bashkisë së Elbasanit, kontaktet dhe bashkëpunimet me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Faik Konicën e Fan Nolin, Mit’hat Frashërin e atdhetarë të njohur të kohës, në Janinë, Stamboll, Manastir e Bukuresht, po ashtu, me hulumtimin dhe botimin e dokumenteve me vlerë historike, folklorike, etnografike, me peshë për albanologjinë.

Njohës i disa gjuhëve të huaja, sipas bashkëkohësve thuhej se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas asaj të Mit’hat Frashërit, nga e cila, fondi i albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan, mban vulën e tij.

Në vitet 1943-1944, Lef Nosi është një nga anëtarët e Këshillit të Naltë, Regjencës. Në përfundim të luftës, në 1945 arrestohet si kolaboracionist, për t’u dënuar me vdekje në gjyqin publik të 1946.

Lef Nosi pushkatohet më 20 shkurt të 1946, me Atë Anton Harapin dhe Maliq Bushatin, në Kodrën e Priftit në Tiranë.

I burgosur nga osmanët për veprimtari patriotike në përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip, i internuar nga pushtuesit italianë për aktivitet antifashist, i pushkatuar nga qeveria komuniste e pasluftës si kolaboracionist, Lef Nosit ende nuk i dihet vendvarrimi nga familjarët. Po ashtu, atyre që e strehuan dhe mbështetën.

Lef Nosi është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës dhe është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, ku edhe është ngritur shtatorja e tij. Një rrugë dhe një shkollë në këtë qytet dhe në Prizren mbajnë emrin e tij. Studimet e Lef Nosit janë publikuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme