30 Maj, 2025 - 7:15 pm
Në Akademinë e Shkencave u mbajt simpoziumi “Lëvizja e 1968-s për revolucionarizimin e jetës në Shqipëri”.
Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Komisioni i përhershëm i antropologjisë dhe i trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Departamentin e shkencave politike, Universiteti i Tiranës, dhe Autoritetin e Dosjeve (AIDSSH).
Simpoziumi synon njohjen e dinamikave dhe studimeve të kryera deri më sot mbi ndikimin që ka pasur Lëvizja e 1968-s në Shqipëri; vështrimin analitik të ndikimit të Revolucionit Kulturor Kinez (mëvetësia e rastit shqiptar), si dhe paraqitjen e disa rasteve studimore mbi këtë argument, përfshi dhe risitë e sjella nga botimi “Antikultura e ‘68-s në Shqipëri” të autorit Albert Nikolla.
Akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike vlerësoi programin e simpoziumit për interesin dhe rëndësinë që kanë tematikat e trajtuara për ta analizuar fenomenin në kuptimin e studimit shkencor antropologjik.
Kryetari i Komisionit të përhershëm të antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore, akad. Albert Doja, tha se kjo është veprimtaria e parë e këtij komisioni të ri. Me këtë rast, ai e falënderoi autorin për nismën e tij për organizimin e simpoziumit “Lëvizja e 1968-s për revolucionarizimin e jetës në Shqipëri” dhe për kontributin që sjell trajtimi i kësaj tematike në zgjerimin e fokusit të qasjeve antropologjike.
Seanca nisi me kumtesën e prof. dr. Enika Abazit, e cila vuri në dukje se gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, kultura u rikonceptua si një superstrukturë e kontrolluar nga shteti, duke u fokusuar në ndërtimin e një identiteti kolektiv në përputhje me doktrinën marksiste-leniniste.
Më tej, prof. asoc. Klodiana Beshku mbajti një kumtesë të përgatitur në bashkëpunim me prof. as. Klejd Këlliçin me temën “Viti 1968: Vala e dytë e feminizmit në Perëndim dhe ‘emancipimi si sakrificë’ në Shqipëri”.
Prof. asoc. Albert Nikolla paraqiti një analizë për tragjedinë e imitimit të revolucionit kulturor kinez në kontekstin shqiptar, dhe posaçërisht në shkatërrimin e kishës katolike, si dhe dokumentet që nxjerrin në dritë qëndrimin e regjimeve komuniste ndaj kishës katolike. Më tej, ai paraqiti një rast studimor antropologjik në fshatin Hajmel të Shkodrës. Pikënisja e studimit zuri fill nga një botim i vitit 1967, ku grupe njerëzish nga krahina të ndryshme të vendit i shkruanin Enver Hoxhës mbi vendimet që kishin marrë për shkatërrimin e kishave dhe “demaskimin” e priftërinjve. Ai vuri në dukje se veprat e E. Hoxhës përbëjnë një burim interesant antropologjik, pasi qëllimi i tyre, më shumë sesa njohje teorike e zhvillimeve të socializmit shqiptar, ishte “të udhëzonin mënyrën e sjelljes” së “njerëzve të rinj të socializmit”, ku përgjatë hulumtimit dalin në pah udhëzimet konkrete se si duhen sulmuar kishat dhe si duhen “demaskuar” priftërinjtë.
Prof. asoc. Majlinda Keta mbajti një kumtesë për profilin filozofik të njeriut të ri në socializëm përballë demokracisë postkomuniste të viteve ’90 në Shqipëri. Mrs. Elona Baçi bëri një paraqitje interesante të disa dosjeve të Arkivit të Dosjeve mbi Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, ku veçoi rastin e dosjeve të përpunuara për këngëtarin Sherif Merdani, një ndër artistët e dënuar me burg për frymën moderne të këtij festivali./atsh/KultPlus.com