займ на карту онлайн потребительский кредит

Gratë në FemArt shprehin një dashuri të pakushtëzuar për të sjell një shoqëri të avancuar

20 Tetor, 2020 - 3:53 pm

Medina Pasoma

Dy gra të cilat kanë lënë vendet e zhvilluara në të cilat kanë studiuar dhe janë kthyer në Kosovë për të kontribuar nëpërmjet aktivizmit të tyre, janë bashkuar në podcastin e radhës të Festivalit FemArt. Liza Gashi dhe Luljeta Aliu ishin folëset e episodës së 6-të, me temën “Me ni Lule S’çel Pranvera; me Kam e Dur, Bashkë e Përpara”, shkruan KultPlus.

Aktivizmi social që transformon dhe i jep zë kërkesave të duhura simbolizohet si “pranverë”, ndërkaq ata individët të cilët mbrojnë interesat e shoqërisë vijnë si “lule” në këtë episod të Podcast. Mirëpo, mesazhi kryesor që kuptohet edhe nëpërmjet titullit është se nuk mund të kemi shoqëri të shëndoshë pa aktivizimin e grupacioneve më të gjera.

Liza Gashi si inovatore, sipërmarrëse, bashkëthemeluese e platformës kosovadiaspora.org, themeluese e “germin” dhe ish zv.ministre në detyrë në Ministrinë e Diasporës në Qeverinë Kurti dhe Luljeta Aliu si themeluese e iniciativës për barazi dhe drejtësi “Inject”, aktiviste e shoqërisë civile dhe e mbijetuar e dhunës në familje që pati ngritur zërin kundër këtij fenomeni, ishin dy folëset të cilat diskutuan tema të ndryshme, duke ndarë përvojat e tyre.

Luljeta Aliu filloj rrëfimin e saj të aktivizmit social, duke shpalosur punën e iniciativës “Inject”. Fokusi kryesor i tyre janë ato të cilat nëpër kohë janë neglizhuar më së shumti, gratë, duke qenë grupi më i madh që cenohet në popull. Mirëpo, përfitimet nga kjo iniciativë shkojnë përtej këtij grupi, sepse përmes saj luftohet diskriminimi strukturor dhe institucional edhe i pjesëve të tjera të shoqërisë.

“Si fushë të dytë e kemi pjesën e parandalimit të dhunës në familje dhe qasjen në të drejtën pronësore të qytetarëve, e sidomos të grave të cilat janë diskriminuar  në mënyrë të skajshme në prokurori apo gjykata”, shton Aliu, e cila vet nëpërmjet raportimit në institucione të dhunës në familje është bërë një zë i kësaj tabuje.

Aktivizmi në Kosovë sipas saj ka ndërruar, kur më parë adresa për ngritje të zërit për një çështje ka qenë vetëm rruga me pankarta në duar, sot ekzistojnë edhe mekanizma dhe forma të tjera.

“Kemi arritur në një stad tjetër të intervenimit dhe protestës. Kjo është rezistencë ndaj dukurive negative, ku ti nuk ki nevojë vetëm me dal direkt por, e ushqen sistemin me propozime për ndryshime konkrete”, shton themeluesja e “Inject”.

Për të, evolucioni shoqëror ka ardhur nga gratë, duke qenë kategori e cila krizat shoqërore i kanë vuajtur më së shumëti. Mirëpo, edhe aktivizmi i grave shpesh di të jetë i padrejtë në aspektin e mjeteve në dispozicion.

“Duhet të dimë se për aktivizimin kemi nevojë për pajisje me resurse dhe kemi nevojë që vajzat e reja t’i aftësojmë. Meqë aktivizmi është fatkeqësisht si çështje e elitave, shpesh herë ata që janë më afër resurseve ekonomike, arsimore, organizatave, kanë dëgjuar për një temë, aktivizohen për të, ndërkaq pjesa tjetër mbetet jashtë, ndërkaq ne kemi nevojë pikërisht për ato pjesë”, u shpreh përgjatë podcast-it Aliu.

Rrugëtimi si aktivist sipas Luljetës duhet të nis me identifikimin e problematikës dhe gjetjen e një terreni të përshtatshëm për veprim. Ndërkaq ajo kritikoj pjesëtarët e shoqërisë civile të cilët nuk punojnë për të zgjedhur një problematikë të shoqërisë por, zgjerohen tej mase, përtej kompetencave vetëm për përfitime vetanake.

“Në Zvicër jeta kishte me qenë shumë më e mirë ose puna ime me organizata të huaja që kam punuar më parë ia kish vlejt shumë më shumë materialisht, por kur ti me të vërtetë dëshiron të ndërrosh diçka, ki vazhdimësi”, shpjegon Aliu, duke theksuar se individi nuk mashtrohet në këtë rast pas mundësive afatshkurte.

Në anën tjetër, Liza si një vajzë e shkolluar jashtë vendit e vlerëson si shumë të madh kontributin e mërgimtarëve për Kosovë. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ajo ka nisur me platformën për diasporë.

“Problemet të cilat i targëtoj në kuadër të aktivizmit tim shoqëror kryesisht kanë të bëj me fuqizimin e të rinjve dhe me targetin e një grupi që është shumë i rëndësishëm për Kosovën, që nuk ka qenë prezentë në diskursin publik, është diaspora”, nisi rrëfimin e saj Liza Gashi.

Pavarësisht etiketimeve si “shaci” për mërgimtarët, ajo thekson se pikërisht ata janë mbajtësit e paqes sociale të Kosovës. Ajo e ka nisur këtë platformë bashkë me disa miq, por që gjatë rrugës iu janë bashkuar edhe shumë të tjerë, madje edhe të huaj. Platforma ka qenë në gjuhën angleze, në mënyrë që të tjerët të njoftohen.

Si gjeneratë që ka përjetuar periudhën e protestave dhe rezistencës së Kosovës, sot ajo këtë tipar të atëhershëm e ka kthyer në aktivizëm, duke bërë një ndërlidhje mes përvojave që ka marr jashtë dhe kanalizimit të energjisë së saj këtu.

“Aktivizmi im lidhet prej pas luftës në Kosovë, prej formimit akademik. Më shumë ka të bëj me një botë të rezistencës së brendshme  që ka krijuar një format që refuzon ta pranoj status quo-në, e cila menaxhon shoqërinë e pa avancuar”, vazhdon tutje Liza.

Ajo thotë se është një dashuri e pakushtëzuar të sjell një shoqëri të avancuar, teksa nuk është e interesuar të shoh “lulet” nga “farat” të cilat i mbjell sot por, të përqendrohet në mbjelljen e tyre.

“Ndonjëherë ki politikbërës të cilët e kanë vullnetin, dëshirën por s’e kanë njohurinë, ndonjëherë ki aktivist të cilët e kanë pasionin, energjinë por nuk e dinë mekanizmin të cilin duhet me përdor, mandej e ki policinë që e ka formatin qysh ekzekuton një aksion por, nuk e kupton pse të paragjykon.”

Tutje ajo u shpreh se kemi shoqëri shumë po kemi pak empati.

“Edhe kur fillojmë të ngrisim zërin, shpesh fillojnë me të etiketu, kur unë avokoj për të drejtat sociale ekonomike të diasporës shqiptare, njerëzit më thonë“, qy kjo cika e diasporës” ose “a ke ardhë me u martu”.

Ndërsa Luljeta u shpreh se nuk duhet pasur frikë për asgjë: Rrëzohuni por zgjohuni prapë, kjo është madhështia.

“Sa ma shumë te jeni me veten dhe të reflektoni, sepse shpesh e neglizhojmë të brendshmen duke dashur të jemi super-star brenda një kohë të shkurtër, por është e kuptueshme edhe kjo sepse me një shoqëri ku ti shikon progres shumë vertikal shumë të shpejtë për shokët e shoqet sepse ata janë fëmijë të politikanëve, biznesmenëve, atëherë ndjehesh i dëshpëruar sepse thua si është e mundur unë po punoj kaq shumë, po aktivizohem kaq shume e nuk po ja dal. Është e rëndësishme të reflektojmë të brendshmen, personalja reflekton publiken dhe jo gjithmonë duhet me qenë të dukshme, ndonjëherë edhe me mbjell një fidan pa i tregu askujt është kontributi ynë në planetin tokë”, përfundoi kështu Luljeta. / KultPlus.com

Të ngjajshme