7 Korrik, 2025 - 8:40 pm
Më 7 korrik të vitit 1993 u nda nga jeta kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Aleks Buda (1910-1993).
Aleks Buda ishte personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, kryetar i parë i ASHSH (1972–1993), Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929–1935).
Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Ai mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit.
Në vitet 1945-1946 ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e Historisë së Mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e mediavistikës shqiptare.
Buda ishte historiani i vetëm që mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit Shqiptar të mbajtur në Tiranë në datat 20-25 nëntor 1972.
Konsiderohej si studiuesi kryesor shqiptar i historisë ilire. Bazuar në hipotezën e origjinës ilire të shqiptarëve, Buda është shprehur se shqiptarët u përkasin banorëve më të vjetër të Ballkanit dhe madje edhe të Evropës.
Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë. Si kryetar i ASHSH, Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë.
Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990)./atsh/KultPlus.com