AMAN dënon fuqishëm sulmet kundër gazetarëve në Izrael, Gaza dhe Libanin e Jugut

19 Tetor, 2023 - 3:37 pm

Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, ka bërë thirrje për sigurinë e gazetarëve në Lindjen e Mesme.

”AMAN-i shpreh dhimbjen dhe shqetësimin e saj për raportimet e medieve për incidente tragjike kundër gazetarëve dhe njerëzve të medias në zonën e shkatërruar nga lufta në Lindjen e Mesme”, thuhet në një deklaratë të kësaj aleance.

”Ka pasur raportime se një gazetar i Reuters dhe gazetarë palestinezë janë vrarë, gazetarë nga AFP dhe Al Jazeera janë plagosur, ndërsa shtëpia e një fotoreporteri të Anadolu Agency është bombarduar dhe anëtarët e familjes së tij janë vrarë”, shtohet në të.

”AMAN-i dënon fuqishëm sulmet ndaj njerëzve të medias gjatë kryerjes së punës së tyre në Izrael, Gaza dhe Libanin e Jugut dhe u bën thirrje urgjentisht të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikt të mbrojnë gazetarët, fotoreporterët dhe ekipet televizive dhe t’i lehtësojnë ata në raportimin nga zonat e konfliktit”, thekson deklarata.

”AMAN bashkon forcat me aleancat e tjera të agjencive të lajmeve dhe grupet mediatike për të mbrojtur mbulimin e lirë të shtypit dhe sigurinë e gazetarëve në zonat e shkatërruara nga lufta”, përfundon ajo./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme