21 Qershor, 2025 - 3:31 pm
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bibliotekën Publike “Dritëro Agolli” në Fier, ku u njoh me misionin, programet dhe aktivitetet kulturore të institucionit, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor.
Gjatë qëndrimit të tij, ai u shpreh i impresionuar nga niveli i organizimit dhe angazhimi kulturor.
“Jam i kënaqur që ndodhem në një institucion kaq aktiv dhe me ndikim në jetën kulturore të Fierit. Këto janë modele që meritojnë mbështetje dhe bashkëpunim konkret,” – deklaroi Ambasadori Huseynov.
Ai vlerësoi rolin e bibliotekave si ura lidhëse mes popujve dhe kulturave, duke theksuar se “kultura është një gjuhë e përbashkët që afron njerëzit, pavarësisht kufijve.”
Në fokus të diskutimeve ishin dhe promovim i trashëgimisë kulturore të dy vendeve. Ambasadori shprehu gatishmërinë për të mbështetur projekte të përbashkëta dhe për të përfshirë këtë institucion në një projekt kulturor që do të zhvillohet në Baku, Azerbajxhan.
Ai dhuroi një grup librash në gjuhën shqipe që trajtojnë tematika mbi kulturën, historinë dhe kulinarinë e Azerbajxhanit, duke pasuruar fondin dhe duke thelluar bashkëpunimin ndërkulturor.
Gjatë vizitës në ambientet e rikonstruktuara, u vlerësuan edhe investimet e bëra nga Bashkia e Fierit. Ambasadori shprehu konsideratë të lartë për Kryetarin e Bashkisë, të cilin e cilësoi si “njeri të veprave të mëdha, që i ka dhënë vlerë jetës kulturore të qytetit përmes investimeve konkrete.”
Në shenjë mirënjohjeje dhe mikpritjeje, i’u dhuruan disa suvenire simbolike si falënderim për vizitën dhe interesin ndaj punës së bibliotekës.
Ky takim u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi të frytshëm dhe afatgjatë në fushën e kulturës dhe edukimit.