Amnesty International: Kosova po dështon t’i mbrojë viktimat e dhunës në familje

31 Gusht, 2023 - 2:00 pm

Autoritetet e Kosovës po dështojnë ndaj viktimave të dhunës në familje, thuhet në një raport të publikuar sot nga “Amnesty International”.

Në raportin “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje”, tregon si të mbijetuarat e dhunës në familje, “përballen me shumë pengesa në sigurimin e mbrojtjes, qasjes në drejtësi dhe mbështetje”.

“Autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm në luftimin e dhunës në familje dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave dhe adresimin e prioriteteve të tyre”, është thënë në raport.

Në raport është vlerësuar qenësore që autoritetet e Kosovës të përfshijnë të mbijetuarat e dhunës në familje në të gjitha proceset vendimmarrëse që kanë ndikim te to”.

“Të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë përballen me pengesa në të gjitha drejtimet kur përpiqen të largohen nga situatat abuzive. Përgjigjja e autoriteteve përqendrohet shumë në ndjekje penale. Në fakt, pothuajse të gjitha të mbijetuarat detyrohen të raportojnë dhunën në polici për të pasur qasje në strehimore. Njëherësh, nuk po bëhet mjaftueshëm për t’i mbështetur të mbijetuarat të jetojnë jetë të pavarur larg abuzimit. Të mbijetuarat nga grupet e margjinalizuara po ashtu po lihen në harresë”, ka thënë Lauren Aarons, zëvendësdrejtoreshë e programit dhe udhëheqëse e ekipit për gjininë.

Amnesty International ka gjetur zbrazëti të shumta në mbështetjen shtetërore që ofrohet për të mbijetuarat e dhunës në familje si dhe mungesë të veprimeve për përfshirjen e tyre në procese vendimmarrëse, që ka shkundur themelin e të drejtave të tyre. Këto zbrazëti përfshijnë pengesa në kompensim, në realizimin e të drejtave tjera ligjore si alimentacioni, si dhe shërbime joadekuate për të mbështetur të mbijetuarat pas largimit nga strehimorja.

“Të mbijetuarat po ashtu kanë treguar për paragjykime të dëmshme nga zyrtarët policorë, punëtorët socialë të mbingarkuar me punë, mbrojtës të viktimave të padobishëm apo që mungojnë dhe mungesë të informatave për të drejtat e tyre apo për mjetet dhe asistencën në dispozicion. Të mbijetuarat nga minoritet etnike si nga komunitetet serb, rom, ashkali, egjiptian nga Kosova, dhe të mbijetuarit/at LGBTI përballen me pengesa shtesë për shkak të formave të diskriminimit ndërthurës me të cilat përballen”, thuhet në raport.

Në raport është thënë se nëse “të mbijetuarat tentojnë të largohen nga situatat abuzive, atëherë në rastin më të mirë marrin mbrojtje fillestare dhe mbështetje afatshkurtëre”.

“Autoritet e Kosovës janë zotuar t’i vendosin të mbijetuarat në qendër të përgjigjes së tyre ndaj dhunës në familje. Tani ata duhet ta shndërrojnë këtë zotim në veprim. Kjo do të thotë ndarjen e burimeve të mjaftueshme, por po ashtu edhe dëgjimin e të mbijetuarave dhe atyre që punojnë me to, për zhvillimin e përgjigjeve gjithëpërfshirëse që respektojnë të drejtat e të mbijetuarave,” ka thënë Aarons.

Një e mbijetuar e dhunës në familje nga Prishtina, identiteti i të cilës nuk është zbuluar, i ka thënë Amnesty International se institucionet e Kosovës duhet t’i informojnë gratë se e kanë derën e hapur dhe mbështetjen e shtetit, “ende pa ndodhë ndonjë gjë”.

“S’ki nevojë me u brengosë për fëmijë, s’ki nevojë me u brengosë për ku ke me shku… edhe nëse nuk të mbështetë familja, edhe nëse s’munesh me u kthy te shpia e babës, institucionet kanë me të mbështetë”, ka thënë viktima.

Kosova është tronditur nga një varg i rasteve të femicidit viteve të fundit. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre vrasjeve, u mbajtën protesta me të cilat kërkohej drejtësi, dëmshpërblim, si dhe dënime në përputhje me ashpërsinë e veprës penale.

Me 14 mars 2021, Sebahate Morina u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Gjykata Kushtetuese më vonë konstatoi se autoritetet shtetërore dështuan ta mbronin Morinën, duke ia shkelur asaj të drejtën në jetë.

Më 4 gusht 2023, burrat përgjegjës për vrasjen brutale të 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht 2021 morën dënimet. Dardan Krivaqës iu dha dënimi me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, Arbër Sejdiut iu dha dënimi 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

“Njerëzit në Kosovë po dalin në rrugë për të kërkuar që të veprohet për të parandaluar vrasjen e më shumë grave. Autoritetet e Kosovës kanë një mundësi të artë ta bëjnë ndryshimin: t’i dëgjojnë të mbijetuarat dhe protestueset, të cilat i kanë zgjidhjet, dhe t’i mbajnë zotimet e tyre ligjore me veprime konkrete të nevojshme për ta t’i dhënë fund dhunës ndaj grave,” ka thënë Aarons. / KultPlus.com

Të ngjajshme