26 Qershor, 2025 - 8:51 pm
Pas gati 40 vitesh në krye të revistës më të njohur të modës në botë, Anna Wintour po largohet nga posti i kryeredaktores së Vogue Amerikë. Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht botuesi i revistës, Condé Nast, për CNN.
Wintour e ndau lajmin me stafin ditën e enjte, duke bërë të ditur se, megjithëse nuk do të largohet plotësisht nga kompania, do të zvogëlojë rolet e saj ekzekutive. Ajo do të vazhdojë të mbajë pozitat si drejtoreshë globale e përmbajtjes për Condé Nast dhe si drejtoreshë editoriale globale e Vogue.
Posti që ajo po lë pas do të zëvendësohet me një titull të ri si “kryetare e përmbajtjes editoriale” për edicionin amerikan të Vogue.
Anna Wintour mori drejtimin e Vogue në vitin 1988 dhe përmes vendimeve të guximshme e transformoi revistën në një forcë udhëheqëse në industrinë e modës. Që nga numri i saj i parë, ku në kopertinë vendosi modelen izraelite Michaela Bercu me xhinse të zbardhura – një zgjedhje që theu rregullat tradicionale të revistës – Wintour tregoi se nuk kishte frikë të sfidonte normat e modës së lartë.
Gjatë drejtimit të saj, ajo solli freski në prezantimin e modës, duke larguar fotografitë formale në studio dhe duke i zëvendësuar me imazhe më spontane e natyrale. Në vitin 1992, ajo theu një tjetër tabu, duke sjellë për herë të parë një burrë në kopertinën e revistës: aktorin Richard Gere, bashkë me supermodelen Cindy Crawford.
Edhe pse është më së shumti e lidhur me Vogue, Wintour mori një rol edhe më të gjerë në vitin 2020, kur u emërua si shefe globale e përmbajtjes për të gjitha revistat e Condé Nast, përfshirë Vanity Fair, GQ, Wired dhe të tjera.
Largimi i saj nga drejtimi i Vogue shënon një moment historik për revistën dhe industrinë e modës në tërësi. Ky ndryshim vjen si pjesë e një ristrukturimi më të madh global në kuadër të Condé Nast, dhe hap rrugën për një drejtim të ri për edicionin amerikan të Vogue.
Ky zhvillim vjen dy vite pasi Chioma Nnadi u bë gruaja e parë me ngjyrë që mori drejtimin e British Vogue, duke vazhduar kështu ndryshimet historike në krye të revistave më me ndikim në botën e modës./cnn/KultPlus.com