‘Ari i bardhë’ i fshehur nën tokë, gjuetia e re për hidrogjenin natyror

25 Korrik, 2025 - 6:20 pm

Një burim i ri premtues energjie po ngjall entuziazëm në mesin e shkencëtarëve dhe investitorëve në mbarë botën, hidrogjeni natyror, i njohur ndryshe si “hidrogjeni i bardhë”. I prodhuar natyrshëm nën tokë përmes reaksioneve gjeologjike, ky lloj hidrogjeni po shihet si alternativa më premtuese për energjinë e pastër të së ardhmes.

Ndryshe nga hidrogjeni “jeshil” dhe “blu”, të cilët kërkojnë procese komplekse dhe të kushtueshme për t’u prodhuar, hidrogjeni i bardhë është i pranishëm në thellësitë e Tokës dhe mund të shfrytëzohet pa ndotje të konsiderueshme. Sipas një studimi të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS) të vitit 2024, nëntoka e Tokës mund të përmbajë nga 1 miliard deri në 10 trilion tonë hidrogjen natyror, me një vlerësim mesatar prej 5.6 trilion tonësh, përcjellë KultPlus.

Megjithëse shumica e këtij hidrogjeni është ndoshta shumë e thellë ose në zona të paarritshme për t’u shfrytëzuar ekonomikisht, edhe vetëm 2% e tij do të mjaftonte për të përmbushur kërkesën globale për rreth 200 vjet.

Interesi për këtë burim ka nisur të rritet ndjeshëm. Deri më sot, rreth 60 kompani janë duke eksploruar mundësitë për nxjerrjen e tij dhe investimet janë rritur në mbi 1 miliard dollarë, sipas gjeokimistit francez Eric Gaucher, i cili udhëheq një grup ekspertësh të krijuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

E vetmja zonë ku hidrogjeni i bardhë po përdoret aktualisht është fshati Bourakébougou në Mali, ku u zbulua rastësisht në vitin 1987 gjatë hapjes së një puse për ujë. Që atëherë, ai përdoret për të prodhuar energji elektrike për komunitetin lokal.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Hidrogjeni është i vështirë për t’u zbuluar dhe për t’u magazinuar, ndërsa disa rezervuarë mund të përmbajnë gjithashtu metan, i cili nëse lirohet, mund të zvogëlojë përfitimet klimaterike të hidrogjenit të bardhë. Për më tepër, ka ende paqartësi nëse hidrogjeni i bardhë gjenerohet mjaftueshëm shpejt për t’u konsideruar një burim i rinovueshëm në shkallë të gjerë.

Sipas profesor Laurent Truche nga Universiteti Grenoble Alpes, “ritmi i prodhimit natyror të hidrogjenit është disa herë më i ngadaltë sesa kërkesa e mundshme industriale.”

Megjithatë, entuziazmi për këtë burim të ri është i krahasueshëm me fillimet e epokës së naftës në 1859, kur Edwin Drake zbuloi për herë të parë “arin e zi” në Pensilvani. Tani, eksploruesit e shekullit XXI shpresojnë se “ari i bardhë” do të luajë një rol të ngjashëm në tranzicionin drejt një të ardhmeje me më pak karbon./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme