Arkitektë botërorë ligjërojnë në Festivalin e Arkitekturës

7 Korrik, 2019 - 2:00 pm

Ka nisur aktivitetet njëri ndër organizimet më të mëdha të arkitekturës në Kosovë, “Kosovo Architecture Festival”.

Edicioni i shtatë i këtij festivali këtë vit ka paraqitur programin e larmishëm, ku do të ligjërojnë emra të njohur të arkitektëve botërorë.

Jeffrey Shumaker, Marcus Fairs, Jessica Bizzoni, Celine Baumann dhe Dean Lah janë vetëm disa nga arkitektët të cilët eksperiencën dhe sfidat e arkitekturës do t’ua paraqesin të gjithë arkitektdashësve në Kosovë.

Ditën e enjte në kinemanë “Armata” është mbajtur punëtoria e parë e këtij aktiviteti. Jessica Bizzoni, artiste e përkushtuar për mjedisin e ndërtuar, teknologjinë dhe përdorimin e hapësirës, që pasqyron sjelljet bashkëkohore të jetës së përditshme, në punëtorinë e zhvilluar ka folur për “Diellin Elektrik”.

Një pjesë e projektit të saj “Electric Sun” është ekspozuar në Itali, në Gjermani dhe në lokacione të ndryshme në Antwerp.

Punëtoria ka ngjallur interesim e debat, studentët e arkitekturës shtruan vazhdimisht pyetje rreth çështjeve preokupuese të temës.

Bizzoni, e cila në Prishtinë po qëndron në kuadër të Festivalit të Arkitekturës, ka folur për ndikimin e dritës elektrike në kohën tonë, si dhe përdorimin e saj, theks të veçantë i ka drejtuar edhe mënyrës sesi i përshtaten banorët e Prishtinës dritës artificiale. Ky interesim ka çuar në studim Bizzonin, ajo ka bërë një analizë, ku sipas studimeve kryeqytetasit nuk po dalin të jenë shumë dashamirë të dritës artificiale. “Ne analizuam edhe si sillen njerëzit në errësirë. Nëse ata ecin gjatë dritës artificiale ose preferojnë të qëndrojnë në errësirë. Ajo çfarë kuptuam është se në bulevardin kryesor njerëzit preferojnë të qëndrojnë më shumë në errësirë, bile-bile shumica prej tyre”, u shpreh ajo.

Pjesë tjetër fokusi ishte edhe rëndësia e madhe që ka laramania e ngjyrave.

Sipas Bizzonit, laramania do të mundë të krijonte një identitet të caktuar për Prishtinën, i cili nuk ishte menduar të krijohej më parë. “Një tjetër gjë që e analizuam në Prishtinë janë edhe ngjyrat e dritës, sepse ngjyra dhe rrezatimi krijojnë një atmosferë të caktuar dhe në këtë mënyrë krijohet edhe identiteti i qytetit. Kur filloni të luani me më shumë ngjyra ju mund të krijoni një identitet, i cili nuk ishte planifikuar më parë të krijohet”, theksoi ajo.

Sipas studiueses, në kontrast me Kosovën holandezët e preferojnë më shumë dritën elektrike. Kjo për shkak se Bizzoni përmendi edhe shtëpitë e gjelbra në Venlo të Holandës, që përdorin dritë artificiale. Sipas saj, ato janë tejet të ndriçuara dhe mund të shihen nga një largësi prej 10 deri në 20 kilometrash.

Jessica Bizzoni ka përmendur edhe disa nga rreziqet e përzgjedhjes së gabuar të ngjyrave te drita artificiale. Ajo ka theksuar se një formë shumë e zakonshme ndaj së cilës i ekspozohemi më shumë rrezikut ndaj dritës artificiale është edhe drita e kaltër nëpër ekrane të telefonit ose të kompjuterit.

Artistja 29-vjeçare nga Italia ka përmendur dy ngjyra të tjera alternative, të cilat do të mund ta zëvendësonin ngjyrën e kaltër. “Ekziston aplikacioni i cili e bllokon ngjyrën e kaltër në telefon. Ekrani i telefonit dhe i kompjuterit emeton ngjyrën e kaltër. Ngjyra e kaltër në këto pajisje nuk është e mirë për njerëzit, veçanërisht gjatë natës. Tashmë është një opsion për ta shmangur emetimin e ngjyrës së kaltër. Opsioni është që të bëhet ekrani i verdhë ose ngjyrë portokalli, sepse kur përcillet ngjyra e kaltër gjatë natës balanca në mes srotoninës dhe melatonins nuk është më stabile dhe nuk prodhojmë më serotonin, për këtë arsye duhet t’i mbajmë gjithmonë larg vetes”, vlerësoi ajo.

Rikujtojmë se “Electric Sun” është pjesë e projektit “Inhabit the artificial night scape” dhe është ekspozuar ndër të tjera edhe gjatë Equilibrio Sottiles në “Fotografica 2018”, e kuruar nga Denis Curti dhe në Muajin Evropian të Fotografisë në Berlin, në vitin 2018.

Në vrazhdën e aktiviteteve Festivali i Arkitekturës do të vazhdojë ligjëratat e punëtoritë edhe me Robert Potokarin, i cili është fitues i 19 çmimeve të para në garat publike. Në vitin 2015 Potokar ka fituar titullin profesor në Universitetin e Mariborit.

Celine Baumann, arkitekte e peizazhit me bazë në Zvicër, do të paraqitet me ligjëratë para publikut kosovar. Ligjërata do të paraqesë studimin më të fundit të studios, duke vënë në pyetje nocionet e gjithëpërfshirjes, barazinë gjinore dhe sociale. Hulumtimi i saj është i bazuar në një qasje praktike për të diskutuar çështjet shoqërore brenda praktikës arkitekturore, ka për qëllim të vërë në pyetje vendin e individit në sferën publike.

Dean Lah ka themeluar zyrën arkitektonike “Enota”, ku punon si arkitekt dhe partner. Jeffrey Shumaker udhëheq konsullencën e tij “URBANscape” që nga viti 2002, ai punon në krijimin e ambienteve të mira për të jetuar, punuar e studiuar dhe këtë festival do të mbajë punëtori të veçantë për arkitektët e rinj.

Festivali i Arkitekturës partnerë ka kinemanë “Armata”, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Inovation Centre Kosovo” dhe “Dezeen”./Zeri

Të ngjajshme