Arkitekturë e pafundshmërisë së përjetimit – Arkitektura e Përparim Ramës

7 Shtator, 2020 - 4:40 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

Projekti City Gardens MUnicipality Tirana

Arkitektura e Përparim Ramës është arkitekturë e re, arkitekturë që po lind, si relacion i ri i njeriut me ndërtesën dhe strehën. Ajo ka funksion të totales së përfshirjes së njeriut në dhe me të. Duke ndërmjetësuar bashkëveprimin shumëdimensional dhe shumë- relacional të njeriut me ndërtesën e tij. Kjo arkitekturë, përballë njeriut, e shtruar për njeriun në relacionin e ri të jetës së tij, duke krijuar iluzionin dhe përjetimin e magjisë, pafundësisë së mundësive përbrenda strehës/ndërtesës, dhe ndërmjet-lojës, arkitektura e arkitektit shqiptar Përparim Ramës, tanimë bartë vulë të veten personale dhe atë të mirënjohur dhe të shpërblyer ndërkombtarisht.

Në këtë arkitekturë jemi përballë një ndërtese të re, që tanimë nuk është as vetëm objekt funksioni  dhe as vetëm objekt estetik, në të vërtetë ajo duke i përmbajtur të dyja, është, tutje, e ndërtuar dhe krijuar që të habisë, çudisë, dhe të hapë magjinë e ndër-komunikimit ndër-njerëzor, apo edhe atë me ndërtesën/arkitekturën. Kjo arkitekturë e re është e menduar në atë mënyrë që të rikrijoj, që të rilind një relacion të ri, të gjej mundësinë për shkëmbimin e ri, ndër – njerëzoren dhe të hapë vetë ambientin dhe kontekstin jetësor në atë mënyrë që shtreson paqen, mirëqenien dhe posaçërisht zbutjen e ndër-komunikimit të të dyjave. Gjithnjë kjo arkitekturë duke qenë e transformuar dhe e rilindur për të mundësuar një kognicion të ri të njeriut.

Sipas intervistave të arkitektit Përparim Rama, ai e sheh arkitekturën në funksion të ri, si përpjekje për kongncion të ri (do të thoshim), si impakt të saj në njeriun dhe po ashtu të njeriut ndaj saj, gjithnjë të dyja duke e bartur njëri tjetrin në jetësim të përvojës të një niveli të lartësuar nga i vjetri, kështu duke arritur në një mundësi të re të ri-krijimit të raportit ambient – njeri dhe bartjen e tij në një nivel që pasuron përjetimin, relacionin dhe socializimin që prej këtu e në të ardhmen.

Edhe projekti për ndërtesën City Gardens Municipality Tirana niset në të njëjtën filozofi. Në të vërtetë ai, me gjithë vlerën e pamohueshme në tërësi, mund të fokusohet në dy karakteristikat kryesore të arkitektit Përparim Rama dhe të kompanisë së tij 4M Group: në magjinë e lojës me hapësirën dhe rikrijimin e saj në një hapje magjike; dhe po ashtu ri – dimensionalizimin e “murit”, mureve dhe të klasikes së mbylljes së ndërtesës, në një hapësirë që hapë jetën dhe relacionin ndërtesë njeri, në një kuriozitet dhe fenomen (të ri) që krijon iluzionin e të jetuarit të pa kufi dhe të pa territorializim të mbyllur që deri më tash kishte krijuar izolimin e njeriut ndaj ndërtesës/save.

Do të ndalemi tek atriumi i propozuar brenda projektit City Gardens, që në arkitekturë është hapje qendrore në ndërtesë. Atriumi i projektuar sipas 4M Group dhe Përparim Ramës është një magji arkitekturore e cila vë në ndër-lojë ndriçimin, magjinë e hapësirës, hapjen e vizionit si dhe liberalizimin e atashimit dhe relacionit të njeriut me ndërtesën.

Atriumi i City Gardens nga arkitekti Përparim Rama është zhvendosje e arkitekturës së vjetër në arkitekturë e cila gati se e rilind njeriun në ekstazën e ndriçimit dhe të lehtësisë së strehës/hapësirës, kështu duke hapur tutje përjetimin dhe imagjinatën e njeriut, magjinë e lehtësisë së strehës (në kuptimin literal) dhe me këtë iluzion duke shumëfishuar përjetimin në ndërmjet-lojën e masave arkitekturore brenda tij.

Atriumi e shumëfishon, po ashtu, edhe vizionin brenda kësaj hapësire, duke liberalizuar (çliruar) vendosjen e mureve dhe duke shmangur izolimin që krijojnë muret klasike, gjë që jep mundësinë e vizionit të lehtë, të bukur, të mirëqenë dhe të pa izoluar, duke mundësuar lirinë dhe ekstazën e hapjes së përjetimit deri në bukuri të re, të papërjetuar më herët, dhe po ashtu të përbashkët me strehën ku gjendesh. Në harmoni të strehës me njeriun, në një relacion të ri ndërmjet tyre, në një frymë të re.

Në të vërtetë prapa kësaj arkitekture gjendet edhe filozofia e dekonstruktimit të funksionit të mbyllur të arkitekturës, apo arkitekturës me funksion të mbyllur, në një strehë/arkitekturë e cila është liberale dhe e platove të pafundme (inspirim i përhershëm i Përparim Ramës nga Gilles Deleuze). Duke dekonstruktuar izolimin e strehës/arkitekturës dhe funksionin e saj të izoluar, arkitekti Përparim Rama e shumëfishon funksionin, pikë së pari, e më pastaj edhe magjinë apo iluzionin e përjetimit të arkitekturës dhe strehës. Kjo është filozofi e cila në dekonstruksionin e saj hapë kontekstin konkret ndaj njeriut, duke e vënë atë në qendër, të lirë dhe të pacenuar në qeniesimin e tij.

City Gardens nga Përparim Rama dhe 4M Group ka një pafundësi hapësirash arkitekturore, funksionale dhe të socializimit: prej hapësirës së festivaleve, tek kafetë, e deri tek hapësirat për socializim, si shtesë hapësirave për punë praktike dhe për punë profesionale. Kjo pafundësi krijon një përjetim të papërsëritshëm të çliruar, të pa funksion të izoluar (të papushtetshëm) të ndërtesës ndaj njeriut, dhe në këtë krijon qëndrueshmërinë dhe përbashkimin e njeriut me strehën në të ardhmen kurrë pa humbur kontaktin, relacionin dhe impaktin pozitiv ndaj njëra tjetrës.

Përparim Rama si arkitekt e ka arritur atë që e shpreh në filozofinë e tij: ndërmjet-lojën, magjinë e hapësirës së lehtë të bukur dhe të pafund, si dhe harmoninë pozitive të strehës me njeriun. Kjo është vula e tij. Kjo është për t’u admiruar, sepse krijon një të ardhme që hapë dhe jetëson lirinë e njeriut, vetë manifestimin e jetës së njeriut si i lirë qoftë edhe nën strehë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme