Artisti italian Enzo Paolo Turchi në Durrës: I mahnitur, nuk prisja qytet kaq të bukur

2 Korrik, 2025 - 5:00 pm

Artisti i njohur italian, Enzo Paolo Turchi, balerin, koreograf, aktor dhe personazh mjaft i famshëm televiziv ka vizituar qytetin e Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako ka ndarë në një postim në rrjetet sociale, mesazhin e artistit italian, që thotë se ka mbetur i befasuar nga vizita në qytetin bregdetar.

Sako thotë se artisti Turchi ka pasur bashkëpunime shumë të suksesshme me personalitete të artit si Raffaella Carra por edhe shumë të tjerë, pjesëmarrës në spektakle e emisione televizive duke u bërë mjaft i njohur në shtetin fqinj.

“Enzo Paolo Turchi ka vizituar Durrësin dhe ka mbetur i mahnitur nga qyteti ynë ku ka gjetur gjithçka, klimën, detin, sigurinë, trashëgiminë e pasur kulturore, mikpritjen dhe njerëzit e mrekullueshëm. Ashtu si të gjithë turistët e tjerë ai premton se do të rikthehet sërish në qytetin tonë fantastik”, thotë Sako.

Gjithashtu, artisti italian Turchi thotë se në Durrës u takua me njerëz të mrekullueshëm, ndërsa zbuloi atraksione dhe vende shumë të bukura.

“Kemi vizituar amfiteatrin, muret e kalasë, vilën e ish-mbretit. Kam mbetur i befasuar! E dija që ishte një qytet i bukur, por nuk e prisja kaq të bukur”, tha ai.

“Doja të bëja komplimentet e mia, mbi të gjitha për bashkinë, e cila mban këtë strukturë në mënyrë të bukur dhe shumë të mirë. Patjetër që do të sjellë këtu edhe bashkëshorten dhe vajzën time”, përfundoi Truchi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme