8 Korrik, 2025 - 11:58 am
Foto: Arben Llapashtica
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin me të dhëna të detajuara për banesat dhe ndërtesat sipas komunave, në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.
Ky publikim ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi strukturën e banesave në nivel kombëtar dhe komunal, duke përfshirë tregues të rëndësishëm që ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve në sektorin e banimit dhe planifikimin urban.
Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 581 mijë e 95 banesa, nga të cilat 356 mijë 959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë.
Ndërkohë, 207 mijë e 165 banesa, që përbëjnë 35.7 për qind të totalit, rezultojnë të pabanuara, përfshirë ato të destinuara për shitje, dhënie me qira apo përdorime të tjera.
Raporti përfshinë informacione të detajuara për: numrin e përgjithshëm të banesave sipas komunave, shpërndarjen e banesave në vendbanime urbane dhe rurale, klasifikimin e banesave në të banuara dhe të pabanuara, llojin e furnizimit me ujë, llojin e sistemit të shkarkimit të ujërave të zeza, mënyrat e ngrohjes në banesa dhe numrin e dhomave në banesat e zakonshme.
ASK-ja ka theksuar se këto të dhëna janë një burim i rëndësishëm për politikat zhvillimore, si dhe për hartimin e strategjive për përmirësimin e kushteve të banimit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të hapësirës.
Analiza e shpërndarjes së banesave të banuara dhe të pabanuara shërben gjithashtu për të kuptuar trendët e zhvillimit urban dhe rural, duke ndihmuar komunat në planifikimin e nevojave të ardhshme për infrastrukturë dhe shërbime publike./ KultPlus.com