“Asnjë ma shumë”, sonte mbahet manifestim përkujtimor për Sebahate Morinën

18 Mars, 2021 - 10:34 am

Fotografia: Atdhe Mulla

Në Sheshin Skënderbe, para Qeverisë së Kosovës sonte do të mbahet një manifestim i heshtur përkujtimor për Sebahate Morinën, 44 vjeçaren, të cilën më 14 mars në Prishtinë e vrau Lulzim Sopi, ish-bashkëshorti i saj.

Por për ata qe nuk kanë mundësi të dalin, zgjidhje tjetër është edhe dalja nëpër ballkonet e tyre, për të shprehur kështu pikëllimin dhe mllefin duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të Sebahate Morinës, por edhe për të kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës që si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë. Ky manifestim do të nis në ora 18:00 dhe do të zgjasë deri në ora 19:00.

Kujtojmë që vajza e Sebahates kishe denoncuar Lulzim Sopin për ushtrim të dhunës fizike ndaj të ëmës së saj, 11 ditë para se ngjarja të ndodhte. Po ashtu sipas hulumtimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), kjo nuk ishte hera e parë që Lulzim Sopi ishte denoncuar për dhunë në familje. Në vitin 2019 ai kishte qenë në paraburgim për këtë vepër, ndërsa Sebahatja kishte pasur urdhër mbrojtës nga ish-bashkëshorti i saj deri në dhjetor të vitit 2020.

“Këto fakte, që tregojnë një histori të dhunës së ushtruar nga dhunuesi ndaj viktimës, do të duhej të ishin të mjaftueshme që Prokuroria e Shtetit të ndërmerrte veprime për mbrojtjen e jetës së Sebahates dhe ndjekjes së veprës penale të dhunës në familje. Por në këtë rast, Prokurori i Shtetit është arsyetuar se Sebahatja nuk ka shprehur gatishmëri për vazhdim të rastit dhe ka refuzuar të shkojë për një intervistë të dytë sqaruese”, thuhet në njoftim, ku tutje organizatorët theksojnë faktin se sot, përkundër përpjekjeve për t’i ikur përgjegjësisë përmes fajësimit të viktimës, duke u thirrur në atë se Sebahate Morina nuk e kishte raportuar vet rastin në polici dhe nuk kishte kërkuar ndihmë mjekësore gjatë intervistimit, faji për dështimin për të mbrojtur atë bie direkt mbi Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila nuk arriti t’ia shpëtojë jetën të ndjerës dhe ta zbatojë Kushtetutën e Kosovës, e cila e mbron të drejtën për jetë për secilin qytetar të Kosovës.

“Vrasja e Sebahate Morinës dhe vrasjet tjera të grave janë raste të femicidit dhe kulmimit të dhunës sistemike ndaj vajzave dhe grave në Kosovë. Sebahatja u vra sepse ishte grua. Si në rastet e mëparshme në të cilat viktimat i kishin denoncuar vrasësit e tyre për ushtrim të dhunës paraprakisht, edhe vrasja e Sebahate Morinës mund të ishte parandaluar”, thuhet tutje në njoftim.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe për shkak të masave parandaluese që kanë mbyllur viktimat me dhunuesit e tyre, në Kosovë kemi parë një rritje masive të rasteve të raportuara të dhunës në familje. Vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2020, janë raportuar 2,000 raste më shumë se në vitin 2019.  / KultPlus.com

Të ngjajshme