Atomistja Laura Dragusha pranohet në universitetin prestigjioz, Yale University

18 Janar, 2023 - 2:56 pm

Atomistja Laura Dragusha është pranuar për të studiuar neuroshkencë me bursë të plotë në njërin ndër top universitetet më të mira të botës, në Yale University në SHBA, përcjellë KultPlus.

Sipas të gjitha rangimeve kredibile, Yale University është ndër top universitetet më të mira në botë dhe konkurrenca për t’u regjistruar në Yale University është globale dhe shumë e madhe, prandaj arritja e Laurës është e jashtëzakonshme.

Lajmin e ka bërë të ditur Instituti Atomi duke konsideruar se ky sukses i jashtëzakonshëm i Laurës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, sukseseve të saj dhe aktivitetit të pashoq në të mirë të komunitetit përgjatë shkollimit si dhe punës së saj të palodhshme drejt arritjes së majave të suksesit. Veç këtyre, ky sukses i saj do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.

“Instituti ATOMI iu shprehë mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuar në realizimin e potencialit të Laurës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj. Instituti ATOMI i uron Laurës studime të suksesshme në Yale University dhe karrierë profesionale të shkëlqyeshme në të ardhmen!”, thuhet në njoftim duke potencuar tutje se

Instituti ATOMI nuk pretendon merita për arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme të atomistëve, meqë ato suksese janë rezultat i potencialit të tyre të jashtëzakonshëm intelektual dhe punës së tyre të madhe. Instituti ATOMI i promovon arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme të atomistëve në mënyrë që t’i motivojë ata dhe në të njëjtën kohë ta rrisë vetëdijen e publikut për potencialin e jashtëzakonshëm të atomistëve dhe rëndësinë e tyre, dhe kështu të krijojë një ambient sa më përkrahës për atomistët në shoqërinë tonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme