Avokatja Rina Kika fituese e bursës prestigjioze të Duke University

3 Nëntor, 2020 - 3:41 pm

Rina Kika, avokatja e shquar e të drejtave të njeriut i është bashkuar ekipit të “Amnesty International” në kuadër të Programit të Duke Law School për Bursën Post-Diplomike në të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut.

Çdo vit, Duke Law School e përzgjedhë vetëm një person për këtë bursë dhe këtë vit Rina Kika është përzgjedhur për këtë program.

Rina Kika është avokate e të drejtave të njeriut, që vepron në Kosovë. Ajo ka përfaqësuar me sukses rastin e parë publik të një burri transgjinor që kërkonte njohjen ligjore të gjinisë nga shteti i Kosovës. Ajo punon ngushtë me OShC të ndryshme lokale në çështje të ndryshme të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e individëve LGBTQ+, të drejtat e grave dhe të drejtat e grupeve etnike jo shumicë në Kosovë. Puna e saj përqendrohet në identifikimin dhe ndjekjen e rasteve të gjyqësisë strategjike për të drejtat e njeriut. Rina ka përfunduar studimet e saj universitare në Universitetin e Prishtinës dhe ka dy tituj master, një për të drejtën ndërkombëtare tregtare nga Universiteti i Cyrihut në Zvicër dhe tjetrin nga Duke University, Sh.B.A për të drejtat e njeriut.

Kika ka deklaruar për Gazetën se “në Kosovë është më e vështirë se në vende tjera të rajonit të punosh si avokate për të drejtat e njeriut. Kjo ngase Kosova nuk është nënshkruese e konventave më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, rrjedhimisht ne nuk mund t’i drejtohemi me rastet tona gjykatave ose organeve tjera ndërkombëtare për t’i adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut.”

Kika ka shtuar se “angazhimi në ekipin e Amnesty International do të ma mundësojë ta shoh për së afërmi punën e kësaj organizate dhe të kontriboj në avancimin e të drejtave të njeriut në nivel global. Prandaj jam shumë e lumtur dhe ndihem e privilegjuar që më është ofruar kjo mundësi.”

Më tutje Kika për Grazetën tha, “besoj se puna në Amnesty do të më ndihmojë shumë në vazhdimin e punës sime për përparimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, posaçërisht të drejtat e grave, të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të drejtat e grupeve etnike Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, sidomos duke pasur parasysh se në Amnesty po i bashkohem ekipit për Gjininë, Seksualitetin dhe Identitetin” përfundoi Kika. / KultPlus.com

Të ngjajshme