“Bashkë për të drejtat tona”, eventi nga Elvana Shala sonte i bën bashkë të gjithë në një vend

9 Dhjetor, 2019 - 9:22 am

Në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala sonte organizon pritjen solemne “Bashkë për të drejtat tona” në bashkëpunim me Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl dhe Ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hermarck Ahliny.

 Kjo pritje, e para e llojit të tillë në Kosovë për Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ka për qëllim bashkimin e zyrtarëve institucional vendor e ndërkombëtar, me organizatat jo-qeveritare dhe komunitetet me qëllim të vetëm që të jenë bashkërisht të integruar në shoqëri pa dallim gjinie, feje etnie apo pozicioni që mbajnë.

Fokusi i veçantë në këtë event  do të jenë kategoritë e margjinalizuara si viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet jo shumicë etj, që edhe ata të kenë mundësi të takojnë nga afër lider institucional, ambasador dhe artist me të cilët mund të shkëmbejnë ide, paraqesin kërkesa, dhe tu ofrohet mbështetje e barabartë në respektimin e të drejtave të tyre.

Duke e ditur që shtresat e ndryshme të shoqërisë që nuk janë të inkuadruar në jetën publike, nuk e kanë mundësinë e pjesëmarrjes në evente të tilla e aq më pak të takojnë personalitete të larta për të diskutuar çështjen e të drejtave të njeriut, ky event do të jetë një rast i veçantë për ta.

Ky projekt vjen si vazhdimësi e projekteve që Ambasadorja  Shala inicion çdo vit për të drejtat e njeriut në vendin tonë.

Në këtë pritje kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtar të lartë institucional vendor e ndërkombëtar, ambasador të shteteve të BE-së në Kosovë e artistë të ndryshëm.

Të pranishmëve me një fjalë rasti do tu drejtohen:
Elvana Shala – Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC
Jens Erik Grondahl – Ambasador i Norvegjisë në Kosovë
Karin Hernmarck Ahliny – Ambasadore e Suedisë në Kosovë dhe
Hilmi Jashari – Avokat i Popullit

Eventi mbahet sonte në Swiss Diamond Hotel Prishtina me fillim nga ora 18:00. / KultPlus.com

Elvana Shala

Të ngjajshme