19 Gusht, 2025 - 11:40 pm
Dokumentari i shumëpritur “Ozzy Osbourne: Coming Home”, që ishte planifikuar të transmetohej më 18 gusht, është shtyrë vetëm pak orë para shfaqjes. Vendimi erdhi pas kërkesës së familjes së artistit, që u nda nga jeta më 22 korrik 2025.
Në një deklaratë zyrtare, BBC-ja bëri të ditur se dokumentari nuk do të shfaqet në këtë moment, ndërsa një datë e re pritet të konfirmohet së shpejti.
Filmi dokumentar sjell një portret intim të viteve të fundit të jetës së legjendës së muzikës rock. Ai përfshin përballjen e Ozzy-t me sfidat shëndetësore, rikthimin e tij në Britani, si dhe performancën e tij të fundit me Black Sabbath, më 5 korrik 2025 në Birmingham.
Fillimisht i konceptuar si një seri me disa episode, projekti u rikonceptua në një dokumentar një-orësh për të përmbledhur jetën dhe trashëgiminë e Osbourne në një format më të drejtpërdrejtë. Mediat britanike raportojnë se ndryshimet në tonin e dokumentarit dhe përqendrimi tek momentet e fundit të jetës së tij kanë ndikuar në vendimin për shtyrje.
Dokumentari mbetet një reflektim emocional mbi jetën e Ozzy Osbourne – jo vetëm si ikonë e muzikës, por edhe si bashkëshort, baba dhe njeri në betejë me kohën. Fansat në mbarë botën do të duhet të presin edhe pak për ta parë këtë kapitull përmbyllës të historisë së një legjende./KultPlus.com