4 Gusht, 2025 - 7:47 pm
Autoriteti italian i konkurrencës (AGCM) i vendosi sot një gjobë prej 1 milion eurosh (1,16 milion dollarë) një nga kompanive më të mëdha të modës, (fast fashion), “Shein” – të themeluar në Kinë – për mashtrimin e klientëve në lidhje me ndikimin mjedisor të produkteve të tij, sipas “Reuters”.
Ky është sanksioni i dytë financiar ndaj “Shein” nga një autoritet evropian i konkurrencës në pak më shumë se një muaj, pasi Franca gjobiti kompaninë me 40 milionë euro më 3 korrik për zbritje të rreme dhe pretendime mashtruese mjedisore.
Gjoba italiane iu vu “Infinite Styles Services Co. Limited”, një kompani me qendër në Dublin – që operon faqen e internetit të “Shein” në Evropë, pas një hetimi të AGCM të nisur shtatorin e kaluar.
Në një deklaratë, “Shein” tha se kishte bashkëpunuar plotësisht me AGCM dhe kishte ndërmarrë veprime të menjëhershme për të adresuar shqetësimet e ngritura.
AGCM tha se mesazhet e qëndrueshmërisë mjedisore dhe përgjegjësisë sociale në faqen e internetit të “Shein” ndonjëherë ishin të paqarta, të përgjithshme dhe/ose tepër emfatike, dhe në disa raste të tjera mashtruese.
“Pretendimet e “Shein” mbi dizajnin e sistemit rrethor dhe riciklueshmërinë e produktit u raportuan si të rreme ose të paktën konfuze dhe kredencialet e gjelbra të koleksionit të saj “evoluSHEIN by design” – ishin të ekzagjeruara”, tha rregullatori.
“Shein” promovon koleksionin “evoluSHEIN by design” – si rroba të bëra duke përdorur prodhim më të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
AGCM tha se konsumatorët mund të mashtrohen duke menduar se koleksioni është bërë me materiale që janë plotësisht të riciklueshme, një fakt që, duke marrë parasysh fibrat e përdorura dhe sistemet ekzistuese të riciklimit, është i pavërtetë./KultPlus.com